E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Inceneratori i Fierit, GJKKO pranon kërkesën për gjykim të shkurtuar për Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit ka pranuar kërkesën e ish ministrit Lefter Koka dhe ish deputetit Alqi Bllako për gjykim të shkurtuar. Kërkesa është pranuar edhe për 14 të pandehur të tjerë të lidhur me abuzimet e bëra në inceneratorin e Fierit.

Pas vendimit të GJKKO, më 12 qershor Prokurorët e SPAK do të japin konkluzionet dhe do të bëjnë kërkesën për dënimin e tyre. Në rast se ata do të shpallen fajtorë, të pandehurit do të përfitojnë uljen me 1/3 e dënimeve. Në seancën e kësaj të hënë si Koka ashtu edhe Bllako ishin prezentë në sallë.

Gjykim të zakonshëm do të ketë vetëm për tre të pandehur biznesmenin Italian Xhuzepe Çiafalone , Arenc Myrtezanin i akuzuar për mashtrim dhe Etleva Kondi, ish-anëtare e komisionit të tenderit.

Lefter Koka akuzohet për shpërdorim detyre, pastrim të parave dhe korrupsion. Ndërsa Bllako akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion, pasi sipas SPAK ai ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit.

Për inceneratorin  e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›