E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

I morën qytetarit 100 euro për të mos e gjobitur, arrestohen dy efektivë të “Shqiponjave” në Tiranë

Dy efektivë të forcave “Shqiponja” janë arrestuar nën akuzën e korrupsionit duke shfrytëzuar detyrën.

Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore “dy efektivët u kapën në flagrancë duke i marrë një drejtuesi mjeti 100 euro, me qëllim shmangien e ndëshkimit të tij me masë gjobe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.

Në pranga përfunduan: Inspektor A.C., 36 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Inspektor, H.XH, 26 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Dy efektivët akuzohen për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjatë kontrollit personal, këtyre punonjësve iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 1420 euro, 8800 lekë, si edhe 4 aparate telefonike celularë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›