E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inception : Një labirint mes mendjes dhe shpirtit

27/08/2010 Mbërrin trilleri i Christopher Nolan

“Filmi i Christopher Nolan, një përzierje e mendjes, inteligjencës, shqetësimit, ekzistencës dhe fantashkencës ekstravagante me protagonist Leonardo di Caprio është një shkrirje e bukur e traditës më të mirë dhe kinemasë moderne”,- shkruan Kenneth Turan në “The Los Angeles Times”

Leo Di Caprio: “Përveç personazhit të Cobb, më joshi ideja për të punuar së bashku me Christopher për të provuar realizmin e një filmi që nuk është vetëm një prodhim i madh hollivudian, por edhe një tepër inteligjente, provokuese, komplekse dhe mbi të gjitha që është në gjendje të ngrejë pyetje ekzistenciale. Janë elementë që në ditët e sotme janë thuajse të pamundura për t’u gjetur në kinema”.

Ëndërrimi është aventura më e mrekullueshme vetmitare që mund t’i ndodhë njeriut në jetë. Çfarëdolloj ëndrre që të jetë, një tmerr apo një kënaqësi, është një përvojë personale që mund të shijohet ose jo. Por po sikur njerëz të tjerë të eksplorojnë ëndrrat tona, sikur të ekzistojë një teknologji që të jetë e aftë të ndërhyjë dhe të manipulojë gjumin me qëllim që të vjedhë sekretet ose me keq akoma të mbjellë ide në thellësi të subkoshiencës, duke të bërë të besosh se janë idetë e tua origjinale? Mirë se vini në botën e “Inception”, shkruar dhe drejtuar nga mjeshtri i kinemasë Christopher Nolan, me protagonistë aktorë Oskari si: Leonardo di Caprio, Joseph Gordon-Levitt, Ellen Page, Tom Hardy, Ken Watanabe, Cillian Murphy, Tom Berenger, Marion Cotillard e Pete Postlethwaite. Ky film shfaqet që sot edhe në ekranin e kinemave të Tiranës.

Tradita dhe modernia në një mendje të vetme

“Filmi i Christopher Nolan, një përzierje e mendjes, inteligjencës, shqetësimit, ekzistencës dhe fantashkencës ekstravagante me protagonist Leonardo di Caprio është një shkrirje e bukur e traditës më të mirë dhe kinemasë moderne”,- shkruan Kenneth Turan në “The Los Angeles Times”, i cili e përcakton si një triller mjaft impresionues.

Dom Cobb është një hajdut i shkathët, më i miri në artin e rrezikshëm të marrjes së sekreteve të vlefshme nga subkoshienca, gjatë kohës që truri është në gjumë. Kjo aftësi e rrallë e Cobb e ka shndërruar atë në një thesar në botën e spiunazhit të korporatave. Por atij gjithashtu i është dashur të heqë dorë nga gjithçka që ka dashur në jetën e tij. Duke dashur që të kthehet në jetë normale, ai do të kryejë edhe një mision të fundit, por që është më i vështirë nga gjithë të tjerët. Në vend që të marrë një ide, ai duhet të fusë këtë ide në mendjen e dikujt. Detyra e fundit nuk është aspak e lehtë dhe përpara Cobb ndodhet një armik që vetëm ai mund ta shikojë.

I pyetur nga shtypi se çfarë e shtyu që të bënte një film mbi universet që krijojmë gjatë ëndrrave tona Nolan përgjigjet: “Më frymëzoi fakti që ne jemi të aftë të krijojmë një univers të tërë në ëndrrat tona, jemi të aftë jo vetëm që t i krijojmë, por edhe të jetojmë në to, sikur të ishte hera e parë që i shikojmë, sikur të ishte diçka krejt e re. Në një ëndërr mund të shohësh një person dhe t’i vësh në gojë fjalët që ti do, fjalë që kur ti dialogon me të, të duket sikur i dëgjon për herë të parë. Mendoj se ide të këtilla zbulojnë shumë atë potencial të pafund të mendjes njerëzore. Për këtë arsye impenjimi kryesor në këtë film ishte gjetja e vendeve për të përshtatur këto krijime të mëdha”.

Nolan shkroi draftin e parë të sinopsit tetë vjet të shkuara, kohë gjatë të cilës ai drejtoi “Batman Begins” dhe “The Dark Knight”. Në “Inception” ai vuri një kast jashtëzakonisht të përzgjedhur. Përveç Leonardo di Caprio ai shtoi edhe gjashtë artistë kandidatë Oskari, ndërsa shpenzimet e filmit arritën deri në 160 milionë dollarë.

Leo di Caprio: “Një film gjenial”

"Përveç personazhit të Cobb, më joshi ideja për të punuar së bashku me Christopher për të provuar realizmin e një filmi që nuk është vetëm një prodhim i madh hollivudian, por edhe një tepër inteligjente, provokuese, komplekse dhe mbi të gjitha që është në gjendje të ngrejë pyetje ekzistenciale. Janë elementë që në ditët e sotme janë thuajse të pamundura për t’u gjetur në kinema. Vazhdon të lexosh gjithnjë të njëjtat histori që të duket se i ke lexuar miliona herë. Përkundrazi “Inception”, më është dukur një film 100% origjinal, nuk kisha parë asnjëherë një gjë të tillë. Besoj se është diçka unike, revolucionare. Kris është një gjeni". Kështu është shprehur në shtyp protagonisti kryesor Leo di Caprio në lidhje me rolin, por sidomos filmin e tij më të fundit. Ndonëse interpretimi i tij është cilësuar shumë pozitiv nga kritika, futja në botën e personazhit nuk ka qenë e lehtë. “Më shumë se për vështirësi bëhej fjalë për një mision të vërtetë dhe të mundshëm që Kris dhe unë duhet ta çonim përpara deri në fund, e që konsistonte në krijimin e zhvillimit emotiv të personazhit tim në koherencë me botën e ëndrrave ku ai ndërhyn”, - shprehet Leo. “Ndërsa kryen misionin e tij, Cobb duhet të jetë në pakt edhe me veten, është sikur të jesh në një seancë të gjatë psikoanalize. Besoj se ‘Inception’ është një psikoterapi prej dy orë e gjysmë në të cilën njeriu duhet të përballojë ankthet e veta dhe gjërat më të mëdha që e preokupojnë në jetën reale”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›