Incident ndëretnik mes nxënësve në Strugë

Një incident midis nxënësve shqiptarë dhe maqedonas ka ndodhur sot pasdite në Strugë. Mësohet se incidenti ka ndodhur pas një zënke midis nxënësve shqiptarë të gjimnazit “Dr.Ibrahim Temo” dhe nxënësve maqedonas të shkollës së mesme të Ohrit.
Konfrontimi fizik ka ndodhur në stacionin lokal të autobusëve, në afërsi të spitalit të Strugës. Policia në versionin e saj theksuan se pas një zënke verbale, tre nxënës shqiptarë kanë sulmuar nxënësin maqedonas, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Policia theksoi se në incident janë përfshirë tre nxënës shqiptarë dhe një nxënës maqedonas, i cili nga lëndimet trupore është dërguar për shërim në Spitalin e Strugës.
Policia nga Stacioni i policisë në Strugë, ka identifikuar sulmuesit dhe ata janë shoqëruar për në stacion të policisë për bisedë informative dhe pas përfundimit të hetuesisë rreth zbardhjes së plotë të rastit, policia do të ngrejë kallëzime kundër pjesëmarrësve në këtë incident në vend publik.