Incident në Lundër për shtyllën elektrike

Një shtyllë e tensionit të lartë që do t'i shërbejë një qendre të re tregtare që po ndërtohet në fshatin e Lundrës, "Tirana East Gate", është bërë objekt i një konflikti mes pronarit të tokës ku do të spostohet kjo shtyllë, dhe komunës së Farkës. Edhe pse që nga marsi i vitit 2010, dosja ka përfunduar në gjykatën e Tiranës me qëllim shpronësimin, pronari iu ligjshëm Avni Doda, tha në një intervistë për 7 News se jo vetëm që nuk është dëmshpërblyer nga objekti privat, por tashmë shtylla e tensionit të lartë do t'i kalojë në oborrin e shtëpisë. Konflikti që ka nisur që në orët e mëngjesit të së hënës, ka bërë që me qindra forca policore të mbajnë nën monitorim familjarët, revoltimi i të cilëve ka qenë i pranishëm gjatë të gjithë negociatave. Pjesë e përforcimeve kanë qenë edhe efektivë të repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Sipas pronarit Doda, kjo përplasje ligjore për spostimin e shtyllës së tensionit të "Tirana East Gate" ka vazhduar prej afro një viti, dhe zaptimi i tokës mbetet tashmë një rrezik i hapur dhe për jetën e banorëve të kësaj familjeje.
Shpërndaje