Trekëndëshi i Bermudeve, një portë për udhëtimin në kohë

27 pilotët humbën në vitin 1945. Ajnshtajni flet për fushë elektromagnetike që transportoi pilotët
Misteri që mbulon trekëndëshin ndërmjet ishujve të Bermudeve, Bahamave dhe ishujt Kuk, ku kanë humbur avionë, anije e mbi të gjitha jetë njerëzish, pa vërtetuar asnjëherë ekzistencën e një prove se ku ata gjenden, duket se është zbuluar. Shumë thonë se Trekëndëshi i Bermudeve është një “portë e kalimit në kohë”, sipas teorisë së Ajnshtajnit, të tjerë thonë se ajo është një legjendë që ekziston vetën në imagjinatën e njerëzve. Gjithsesi, të dytët nuk kanë mundur kurrë të shpjegojnë se çfarë ka ndodhur me avionët e zhdukur dhjetëra vjet më parë në mënyrë të befasishme, që mbajnë në vete një sekret të madh njerëzor ose të mbinatyrshëm, që njihet në histori me emrin “Fluturimi 19”. Të humburit nga avionët ushtarakë amerikanë që nuk janë gjetur kurrë, e kanë marrë me vete sekretin, që mban në lëvizje të gjithë kërkuesit për vite me radhë. Çfarë ndodh në Trekëndëshin e Bermudeve?
Misioni
Historia e “Fluturimit 19” fillon në një ditë të egërsuar dimri, pak pas Luftës së Dytë Botërore. Bëhet fjalë për 5 dhjetorin e vitit 1945, kur pesë avionë ushtarakë amerikanë u nisën nga baza e Floridës për një mision rutinë mbi Gjirin e Meksikës. Njëzet e shtatë personat e ekuipazhit të avionëve tip “Avenzher” u ngritën nga baza amerikane “Xhorxh Uashington” dhe u nisën për një udhëtim, që ndonëse pritej të mos zgjaste më shumë se 4 orë, nuk mbaroi kurrë. Komandanti i fluturimit, Karl Teilor, kishte mbi 2.500 orë udhëtim dhe quhej një nga pilotët më të mirë të SHBA-së, me merita gjatë Luftës Botërore, e cila sapo kishte përfunduar, ndërsa pilotët e tjerë kishin shumë herë më pak orë udhëtim, e kështu që normalisht u bindeshin urdhrave të Teilorit. Aeroplanët kishin mjaftueshëm naftë, si dhe ishin të mbingarkuar nga municione, çka përbënte një rrezik të vazhdueshëm në rast se diçka shkonte keq. Diku nga fundi i udhëtimit, Teilor raporton në bazën e Floridës se nuk mund të dallonte se ku ishte, pasi busullat dhe makineritë e tjera që ndodheshin në bordin e pilotimit, kishin pësuar defekt, e për këtë arsye kërkoi rekomandime nga kulla e vrojtimit. Ai kishte përllogaritur se ishte në rrugën e duhur, mbi ishujt “Hens and Chickens” dhe se duke mbajtur drejtimin e mëparshëm do të përfundonte në Meksikë. Për këtë arsye, ai vendosi të ndërronte drejtim me 270 gradë për t’iu drejtuar Floridës. Nga kulla e vrojtimit të bazës “Xhorxh Uashington” iu përgjigjën negativisht dhe i thanë se nuk kishte pse të ndërronte drejtim, pasi ishte në vijën e duhur të fluturimit. Përfundimisht pas bisedave të mëdha, “Fluturimi 19” humbi duke ndezur për herë të parë në opinionin publik çështjen e “Trekëndëshit të Bermudeve”.
“Trajnimi 49”
Me rrëzimin e “Fluturimit 19” në darkën e datës 5 dhjetor, forcat amerikane të fluturimit ngritën alarmin dhe kërkuan hetim të menjëhershëm të ngjarjes. Në kërkim të trupave dhe të avionëve të “Fluturimit 19” u dërguan trembëdhjetë pilotë, nën misionin “Trajnimi 49”, së bashku me misione të tjera me të njëjtin qëllim, “Misioni 32” dhe “Trajnimi 44”. “Trajnimi 44” dhe “Misioni 32” u drejtuan në jug të ishujve Bahamas, jashtë Trekëndëshit të Bermudeve, ndërkohë që “Trajnimi 49” vazhdoi fluturimin prej Floridës në ishujt “Hens and Chickens”. Vetëm dhjetë minuta pasi ky trajnim u fut në trekëndëshin e famshëm, avionët u zhdukën nga radari. Ditë më vonë, ushtria amerikane bëri të ditur se “Trajnimi 49” kishte shpërthyer në ajër e se shkak për këtë ishte bërë një moskoordinim i avionëve me njëri-tjetrin. Në vitin 1956, një dokument i shërbimit sekret amerikan nxori në pah se edhe këta avionë kishin probleme me busullat.
Përfundimet e gabuara
Disa muaj pas aksidenteve, flota amerikane doli në disa konkluzione në një raport prej më shumë se pesëqind faqesh. Përfundimi i parë ishte se në “Fluturimin 19” faji ishte i komandantit Teilor, pasi ai nuk fluturonte mbi Gjirin e Meksikës, siç raportoi në radio, e se ishujt që kaloi nuk ishin ishujt “Hens e Chickens”, por ishin ishujt “Keis”, çka do të thotë se nuk duhet të kishte kthyer avionët 270 gradë. Përfundimi i dytë e akuzonte të humburin Teilor se ndonëse ishte një nga pilotët më të mirë, kishte humbur shumë herë në trajnimet e tij, për shkak të kokëfortësisë. Për më shumë, raporti akuzonte në mënyrë të drejtpërdrejtë Teilorin si shkaktarin e vetëm të humbjes së avionëve në “Fluturimin 19”. Përfundimi i fundit ishte se humbja e “Trajnimit 49” kishte ndodhur për shkak të një shpërthimi, si pasojë e keqkuptimit mes pilotëve. Vetëm pak ditë më vonë, ky raport u hodh poshtë, pas kërkesës së të ëmës së Teilorit, e cila kërkoi që të mos akuzohej së koti djali i saj, pasi nuk ishin gjetur as trupat, e as avionët që mund të vërtetonin atë çka thuhej në raport. Në këtë mënyrë, flota amerikane e quajti çështjen si “të panjohur”. Por problemet e busullave që u hasën si në “Fluturimin 19” dhe në “Trajnimin 49”, nuk u shpjeguan kurrë nga flota.
Trekëndëshi i Bermudeve dhe problemi i busullave të avionit
Ajo çfarë kishte sjellë sërish në vëmendje mitin e Trekëndëshit të Bermudeve nga misioni i “Fluturimit 19”, është fakti se busullat e avionit nuk funksiononin. Në këtë mënyrë ndodhi e gjithë tragjedia e sipërpërmendur. Shkencëtarët thonë se është e pamundur logjikisht që të pestë avionët të kenë pësuar problem me busullat në të njëjtin çast pa u ndikuar nga një faktor i jashtëm. Pra, vetëm në rast se kishte valë të dendura elektromagnetike në këtë rajon, mund të prisheshin njëkohësisht të gjitha busullat. Fizikani Albert Ajnshtajn, në teorinë e tij të planit të njësuar, flet edhe për teletransportimin, i cili mund të vijë nga një tufë e dendur elektromagnetike, që sjell si pasojë çrregullime në të gjitha pajisjet. Ashtu sikurse përflitet edhe për “Eksperimentin Filadelfia”, që është bërë nga shkencëtarët amerikanë për të vërtetuar këtë teori, edhe për Trekëndëshin e Bermudeve mendohet se është një rajon i dendur nga valët elektromagnetike dhe prodhon teletransportimin. Thënë ndryshe, sipas teorisë së Ajnshtajnit, ky rajon i transporton të gjitha objektet që bien pre e stuhisë elektromagnetike në një hapësirë ose në një kohë tjetër.
Dialogu
Teilor: Çfarë tregon busulla?
Studenti: Nuk e di se ku jemi. Duhet të kemi humbur kontrollin pas kthimit të fundit.
Vrojtuesi: FT-74 (Kulla e vrojtimit). Aeroplan apo anije që kërkon ndihmë, ju lutem identifikohuni që t’ju ndihmojmë.
Teilor: FT-28.
Vrojtuesi: FT-28, po flet FT-74. Çfarë problem keni?
Teilor: Nuk punojnë busullat. Po përpiqem të gjejë Fort Londerbou në Florida, jam mbi tokë. Jam i sigurt që jam mbi ishujt “Hens and Chickens”, por nuk di nga të shkoj.
Vrojtuesi: Nëse je i sigurt që je mbi ishujt, atëherë vazhdo dhe kthehu.
...
Pas kësaj bisede, Teilor ktheu avionin dhe priste që të gjente sërish tokën e Floridës, ku do të ulej.
...
Teilor: Nuk duhet të ndahemi nga njëri-tjetri. Nëse shkojmë poshtë, do të shkojmë të gjithë bashkë.
Studenti 2: Duhet të fluturojmë djathtas, dreq!
...
Pas kësaj bisede humbet kontakti dhe nuk dëgjohet asgjë nga “Fluturimi 19”.