Incident në aktivitetin e homoseksualëve në Tiranë. U hidhen tymuese
Nuk ka rezultuar e suksesshme test-prova e LGBT, 3 ditë përpara paradës së planifikuar të komunitetit të homoseksualëve, raporton Ora News. Gjatë aktivitetit të zhvilluar nga aktivistë të shoqatave të LGBT-së, projektuar si një garë me biçikleta në bulevardin Dëshmorët e Kombit, ata janë provokuar dhe u janë hedhur dy tymuese nga disa persona.
Ndërkaq policia ka ndaluar dy persona lidhur me incidentin, ndërsa ishin rreth 30 policë që po mbikëqyrnin aktivitetin. Mjegulla e krijuar në bulevard ka shkaktuar dhe probleme me trafikun, duke çuar në bllokim të tij.
Pavarësisht situatës, Koordinatori i lëvizjes për homoseksualët, biseksualët dhe transgjinorët, LGBT Grup, Kristi Pinderi, ka theksuar se përveç mentalitetit shqiptar sfiduam dhe motin, ndërsa ka paralajmëruar agresorët se ky është vetëm fillimi.
Marshimi i sotëm përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit me sloganin: Flije Mendjen! Disa njerëz janë gay do të pasohet me aktivitete të tjera në ditët në vijim.

