Botërorët në pulla poste

Për 40 vjet filatelisti Kristaq Jorgji koleksionoi pulla të kampionateve botërorë të futbollit. Ekspozon rreth 300: më e vjetra e vitit 1930. Jorgji, 78-vjeçar rrëfen historinë e tyre
Një kampionat botëror futbolli është një ngjarje si për protagonistët, tifozët, kompanitë e basteve, ashtu edhe për një koleksionist pullash postare. Puna e tij fillon kur skuadrat janë bindur për dështimin, e të tjerave u është zbehur dalldia e fitores, kur tifozëve u janë ftohur gjakrat dhe kur kompanitë postare nëpër botë kanë filluar nga puna për emetimin e pullave. Pak kohë pas Botërorit "Afrika e Jugut 2010" ku njerëzit dergjeshin pijetoreve herë me zemrën që u digjej dhe herë kallkan, koleksionisti 78-vjeçar i fton qytetarët korçarë, të pasionuarit dhe ekipin korçar të futbollistëve në një ekspozitë për kampionatet botërore të futbollit.
Pullat më të hershme datojnë qysh nga 1930. Ekspozita filatelike qëndroi e hapur dhjetë ditë në galerinë "Guri Madhi", që ndodhet brenda ndërtesës së Qendrës Kulturore "Vangjush Mio" në Korçë. "I ftova sportistët të shikonin si janë pasqyruar kampionatet botërorë të futbollit në vendet e ndryshme të botës", tregon koleksionisti rreth interesit që kanë treguar vizitorët. Ekspozita me 300 pulla, ndahej në dy seksione: pulla të emetuara nga posta shqiptare dhe pullat e dërguara nga koleksionistë të huaj. Pulla më e vjetër që Jorgji ka në koleksionin e tij është ajo e Kampionatit Botëror në Uruguaj, e vitit 1930, kur është shpallur kampion vetë shteti amerikano-jugor.
Më tej çdo katër vjet vijojnë pullat e shteteve, ku janë zhvilluar kampionatet botërorë, i
Francës (1938),
Brazil (1950),
Suedi (1958),
Kili (1962),
Angli (1966),
Meksikë (1970),
RFGJ (1974),
Argjentinë (1978),
Spanjë (1982),
Meksikë (1986),
Itali (1990),
Amerikë (1994),
Francë (1998),
Japoni - Koreja e Jugut (2002)
dhe Gjermani (2006).
Mungojnë vetëm pak kampionate në koleksionin e pasur të pullave që Jorgji prezantoi. Në vitet '42, '46 nuk ka pasur kampionate se ka qenë Lufta e Dytë Botërore, kurse pullat e kupës "Afrikë e Jugut 2010" nuk janë emetuar ende", tregon filatelisti. Për ekspozitën bashkëpunuan edhe dy filatelistë të tjerë korçarë: Igli dhe Leonard Gjançi. Pullat më të shumta i vijnë Jorgjit nga vendet e Evropës. Posta shqiptare pas viteve '60 filloi të emetojë pullat e kampionateve botërorë. Ai mban korrespondencë me filatelistë nga bota, deri edhe nga Afrika Qendrore, Jemeni, Nigeria, për të mos i ngelur asnjë seri mangët në koleksion. Kjo është edhe "hileja" e kësaj pune: krijimi i historikut të saktë të kampionateve botërorë. "Kjo është ekspozita e pare e këtij lloji në Shqipëri", thotë Jorgji.
Bashkë me pullat u prezantuan blloqe dhe zarfe SCD apo zarfe udhëtimi. Jorgji tregon se pullat nuk kanë për funksion identifikimin e personazheve që kanë spikatur në njërin apo tjetrin kampionat. Historiku i këtyre ngjarjeve botërore të futbollit krijohet edhe përmes lëvizjes, lojës, gjuajtjes së një momenti që më vonë bëhet historik. Kristaq Jorgji nuk e ka as ekspozitën dhe as koleksionin e parë atë që prezantoi për rreth dy javë në Korçë. Koleksione të tjerë për futbollin, i ka prezantuar në ekspozitat: "Tema Sportive" në Bukuresht ku ështëvlerësuar me medalje bronzi, "Drejt Athinës 2004" dhe "Lojërat Olimpike Dimërore" në Korçë.
Kristaq Jorgji ka qenë arsimtar gjatë gjithë jetës, dhe për 40 vjet nuk ka hequr dorë nga koleksioni i pullave dhe kartolinave postare, kartëmonedhave, monedhave, kartave telefonike. Më 1997 ai ka prezantuar ekspozitën: "Korça nëpërmjet pullave postare, kartëmonedhave dhe kartolinave". Përjashtim deri më tani bën ekspozita "Përpjekjet e Popullit Shqiptar për Liri dhe Pavarësi" ku ka prezantuar koleksionin e pullave me figura historike. Kur e kujton këtë, Jorgji sjell ndër mend zanafillën e pullave shqiptare, "të shpikura" qysh më 1913 me figurën e Skënderbeut. Jorgji, kryetar i shoqatës së filatelistëve në Korçë, dhe anëtar në shoqatën e Tiranës, e njeh mirë historinë e tyre. Koleksioni që ka nëpër duar 78-vjeçari dhe që mendohet të jetë gati shpejt, këtë herë i takon fëmijëve.