E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidente zgjedhore në Korçë dhe Librazhd

Në pikun e zhvillimit të fushatës elektorale vijojnë të jenë prezente incidentet me grisje apo sulme të zyrave elektorale. Në Librazhd dhe Korçë janë raportuar dje dy raste të tilla. Në Korçë është sulmuar për herë të dytë një zyrë elektorale, ndërsa në Librazhd është grisur një poster.
Zyra elektorale e PS-së në lagjen Radanec të Korçës është sulmuar sërish duke thyer xhamat. Ngjarja është konstatuar vetëm në orët e para të mëngjesit nga ana e përfaqësuesve të Partisë Socialiste, të cilët kanë apeluar për ndërhyrjen e policisë, duke e denoncuar këtë akt të dhunshëm për të dytën herë radhazi në të njëjtin vend. Zyra elektorale është sulmuar me gurë gjatë natës me të njëjtin skenar si një ditë më parë, ndërkohë që sipas kryetarit të këtij subjekti politik në Korçë, Ilir Pendavinji, ky sulm i dytë brenda 24 orëve nuk tregon aspak qytetari, por një kthim mbrapa. Partia Socialiste i ka dënuar këto veprime të dhunshme të përsëritura gjatë fushatës elektorale, ndërkohë që sipas saj duhet që policia të marrë masa urgjente ndaj autorëve. Kreu i PS-së në Korçë, Ilir Pendavinji, ka thënë se militantët demokratë duhet të distancohen nga këto akte të dhunshme që kryhen në mënyrë të përsëritur, pasi nuk bëjnë gjë tjetër veçse prishin fushatën dhe shtojnë tensionet. Sakaq, në lidhje me ngjarjen e Librazhdit, denoncimi është bërë nga deputeti socialist, Taulant Balla.
Sipas Ballës, posteri i vendosur në qendër të qytetit ka përfunduar i prerë në katër copa, ndërsa Balla këmbëngul se ky veprim ka ndodhur "nën hundën e policisë". Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, posteri elektoral i PS-së, i madhësisë 8 x 6 metra, në mëngjesin e djeshëm ka aguar i prerë me thika në të gjithë sipërfaqen e tij. Posteri në fjalë ishte i vendosur mbi një tarracë të katit të dytë të një ndërtese ngjitur me godinën e bashkisë së këtij qyteti. Sipas krerëve lokalë të kësaj force politike, po u kërkohet organeve policore të gjejnë keqbërësit, të cilët rreth orës 02:00 të natës së mbrëmshme kanë kryer këtë akt të shëmtuar nën indiferencën e uniformave blu. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe posterat personalë të Neritan Cekës, në qendër të Elbasanit, ku dy prej tyre janë shkatërruar duke u grisur. Opinione të ndryshme për rastin në fjalë bëjnë "autorë" po militantët e PD-së në Elbasan, të cilët nuk e suportojnë dot rikthimin e Cekës bashkë me "partinë" e tij në koalicion parazgjedhor me PD-në.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›