E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Me PS-në do fitojnë socialistët e demokratët

Me Partinë Socialiste dhe Edi Ramën fitojnë të majtë dhe të djathtë. Kjo është deklarata e kryesuesit të listës së Partisë Socialiste në Qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi. Gjatë një takimi në Komunën Krutje, Ruçi u shpreh i bindur se përmes PS dhe kryetarit të saj, demokratët do të dalin të fituar nëse votojnë Partinë Socialiste. "Unë ju garantoj, se me PS dhe Edi Ramën, do të fitojnë socialistët dhe demokratët. U bëj apel gjithë demokratëve, veçanërisht atyre të Krutjes, se me djalin e tyre në Parlamentin shqiptar, ata janë të fituar, pavarësisht se janë demokratë, do kenë një derë të hapur, pasi do të ketë një përfaqësues Krutja", tha ai. Sakaq, në një takim tjetër, Gramoz Ruçi i shoqëruar edhe nga kandidatja Ermelinda Meksi, ishin në spitalin pediatrik të qytetit të Fierit. Ata kanë parë nga afër kushtet në të cilat ky spital funksionon, ku asnjë medikament nuk gjendet aty, por duhet blerë jashtë dyerve të spitalit, edhe pse bëhet fjalë për shërbim shëndetësor ndaj fëmijëve të vegjël. Më parë, kandidatët e Qarkut të Fierit janë takuar me banorët e lagjes "8 Shkurti" të qytetit të Fierit. Ata kanë kërkuar votën për Partinë Socialiste, si forca që do të ndryshojë të ardhmen e Shqipërisë. Ruçi i ka njohur qytetarët me programin e ri qeverisës të PS-së, por në të njëjtën kohë ka fajësuar Kryeministrin Sali Berisha për politika klienteliste në favor të një oborri njerëzish. Nga Fieri, ku pak ditë më parë ishte kryetari i PD, Berisha, Ruçi ka rikujtuar premtimet e bëra në 2005-ën të qeverisë dhe të pambajtura edhe sot pas 4 vjetësh që mori votën për të qeverisur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›