E Diel, 1 Nëntor 2026

Incidentet gjatë zhvillimit të aktiviteteve “Mandati i fundit”

(E plotësuar) Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur për disa incidente gjatë zhvillimit të aktiviteteve “Mandati i fundit” nëpër komuna të ndryshme, me ç’rast thuhet se ka pasur fyerje dhe kërcënime serioze nga zyrtarët e ndryshëm komunalë dhe të policisë.

Siç thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Drenasit për shkak të siç thuhet presioneve është ndërprerë ekspozita, si dhe janë sulmuar aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Presione, kërcënime dhe fyerje për ndërprerjen e ekspozitës ka pasur edhe nga zyrtarë komunalë në Rahovec, ndërsa gjatë aktivitetit “Mandati i fundit” në Vushtrri, disa policë kanë shkuar pranë ekspozitës dhe ua kanë marrë letërnjoftimet aktivistëve, në mënyrë që ta pengojnë zhvillimin e këtij aktiviteti.

Vetëvendosje ka bërë të ditur se policia ka dashur të ndërpresë aktivitetin me arsyetimin se nuk është kërkuar leje paraprake, ndërsa në Dardanë tre punëtorë të administratës komunale kanë shkuar në vendin ku po mbahej ekspozita dhe kanë provokuar aktivistët e qytetarët.

Edhe aktiviteti në Klinë nuk ka kaluar pa probleme, për shkak se policia dhe inspektorë komunalë kanë kërkuar nga Vetëvendosje që të mos i vendosë fotografitë në ekspozitë, pavarësisht asaj se ka pasur leje për organizimin e këtij aktiviteti.

Aktiviteti “Mandati i fundit”, organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje është mbajtur gjatë ditës në shumë komuna të vendit, ku përmes fotografive janë paraqitur keqmenaxhimet nga ana e pushtetit lokal.

Vetëvendosje: Mandati i fundit i keqqeverisjes Mustafa

Lëvizja Vetëvendosje përmes një ekspozitës “Mandati i fundit”, kanë prezantuar 124 fotografi, përmes të cilave siç thanë, është pasqyruar keqqeverisja e pushtetit lokal, gjegjësisht e LDK-së, e cila ka pasur pushtetin në Prishtinë që nga përfundimi i luftës e deri sot.

Berat Lahu nga Vetëvendosja, tha se qëllimi i kësaj ekspozite, është pasqyrimi i gjendjes reale në komunën e Prishtinës. Ai tha se përmes fotografive të paraqitura në këtë ekspozitë, dëshmohet realiteti dhe të gjitha problemet që ekzistojnë në Komunën e Prishtinës, duke filluar nga papunësia e madhe, infrastruktura shumë e dobët dhe mbindërtimet e egra.

“Kemi pasur premtime të zotit Mustafa gjatë fushatës elektorale për 50 mijë vende të reja të punës, infrastrukturë moderne dhe për shërbime cilësore. Të gjitha këto përmes fotografimeve tona, do t’i shihni që kanë qenë vetëm premtime të pa mbajtura. Është dy vjet pas marrjes së mandatit, dhe ne mendojmë që një qeverisje e tillë duhet ta ketë mandatin e fundit. Për t’u siguruar që kjo keqqeverisje të marrë fund, Lëvizja Vetëvendosje, do të angazhohet, do të organizohet me demonstrata dhe protesta me aksione, aktivitete të ndryshme që kjo qeverisje, ky keq menaxhim i Prishtinës, ky degradim të ndalojë”, tha Lahu.

Ndryshe, ekspozita “Mandati i fundit”, po organizohet nga Lëvizja Vetëvendosje në 18 qendra të Kosovës.

“Mandati i fundit” në Fushë-Kosovë

Në kuadër të aktivitetit “Mandati i fundit” të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili po organizohet në çdo komunë të Kosovës, të enjten është hapur ekspozita me fotografi, në lokalet e shtëpisë së kulturës në Fushë-Kosovë.

Fotot e ekspozitës shpërfaqin mosrealizimet dhe qeverisjen aspak të mirë të kësaj komune.

Në këtë ekspozitë janë paraqitur mbi 50 foto bardh e zi, që vënë në pah shkolla në gjendje të mjerueshme, rrugë të prishura, ambulanca jofunksionale, ndërtime shkel e shko të cilat nuk i përkasin planit urbanistik, vendgrumbullime mbeturinash në mes të vendbanimit etj., pamje këto të cilat tentojnë të tregojnë një qeverisje lokale, e cila nuk i përgjigjet qytetarit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorë deri më 17 dhjetor. (KP)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›