Thaçi: Decentralizimi në Kosovë ka dhënë rezultate

Por ky fakt nuk është zënë në gojë nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, i cili ka dhënë vetëm fjalë të mira për këtë proces, ndërsa shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO), Pieter Feith ka inkurajuar ekzekutivin e vendit që të komunikoj drejtpërdrejt me banorët e asaj pjese.
Këto vlerësime kanë dal të mërkurën nga takimi i fundit për këtë vit të grupit ndër-ministror për decentralizim, i bashkë kryesuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO).
Në këtë rast, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se decentralizimi dhe mbështetja e pushtetit lokal për të kryer funksionet e saj vazhdon të mbetet një nga çështjet prioritare të Qeverisë së Kosovës sot, por edhe në të ardhmen.
Sipas tij, decentralizimi është parim i sistemit demokratik të qeverisjes dhe një nga parimet për një qeverisje të mirë. Madje, ai është lavdëruar, duke thënë se Kosova është shembulli më i mirë në rajon sa i përket implementimit të decentralizimit, nga i cili kanë përfituar qytetarët.
“Tri vite pas, decentralizimi në Kosovë ka dhënë rezultatet e veta të cilat janë të prekshme të dukshme për të gjithë. Mund të them lirisht se Republika e Kosovës është shembulli më i mirë në rajon sa i përket decentralizimit. Tri vite prej që ka filluar decentralizimi ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim përkatësie etnike. Efekti më i madh është pikërisht integrimi i komunitetit serb në komunat me shumicë prej tyre”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Pieter Feith ka thënë se zyra e tij është duke punuar për të mbikëqyrur pavarësinë edhe për një periudhë të shkurtër kohore.
Duke folur për procesin e decentralizimit, Feith ka thënë se jo të gjitha kompetencat janë bartur në të gjitha komunat e reja dhe kapaciteti i disa komunave është i mangët. Por shefi i ICO-së theksoi se institucionet paralele serbe janë duke operuar në Kosovë jashtë planit gjithëpërfshirës të Ahtisarit dhe në kundërshtim me kornizën ligjore të Kosovës.
“Institucionet paralele sipas këndvështrimit tim duhet të jenë irelevante dhe po shpresoj që Qeveria do të komunikoj qartazi që nuk do të mbyll sistemet shkollore të serbëve apo ofruesit e shërbimit shëndetësor. Mirëpo, Qeveria do të inkurajoj institucionet që të punojnë në mënyrë transparente në kuadër të kornizës të punuar me planin e Ahtisarit si dhe në pajtim me ligjet e Kosovës”, ka theksuar Faith.
Për më tepër, ai ka shtuar se zgjidhja së çështjeve të policisë dhe emërimi i komandantëve të policisë në komunat e reja duhet të kenë përkrahjen e nivelit qendror si dhe fonde të mjaftueshme për operimin e tyre.
Shef i ICO-së ka folur edhe për situatën në veri pas 25 korrikut, ndërsa tha se marrëveshjet që kanë dal nga dialogu në Bruksel do të japin rezultatet e tyre të pritshme.
Kurse ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq ka thënë se akoma ka punë për t’u bërë lidhur me decentralizimin në veri dhe në themelimin e komunës së Mitrovicës së veriut. Por, përkundër këtyre vështirësive ai ka theksuar se përpjekjet e MAPL-së nuk kanë ndaluar për të implementuar këtë proces.
“Barrikadat na kanë vështirësuar punën në realizimin e punëve tona. Por nuk janë ndalë përpjekjet tona në këtë proces. Tash kur kemi një numër të madh të marrëveshjeve në dialog mes Beogradit dhe Prishtinës dhe rezultatet e para në shtyjnë që procesi i funksionalizimit i komunave në këtë pjesë të Kosovës do të ketë sukses”, theksoi Petroviq.
Mandati i këtij grupi ndërministror është deri në muajin prill, por pasi ka pasur vështirësi ministri Petroviq ka kërkuar që t’i zgjatet mandati në mënyrë që të implementohet në tërësi procesi i decentralizimit. /kp/