E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidentet në Kamëz e Kashar, tre të ndaluar

Policia e Tiranës ka ndaluar tre persona të tjerë në lidhje me incidentet elektorale, të ndodhura të dielën në Kashar dhe në Bathore. Zëdhënësja e Policisë së Tiranës, në lidhje me incidentin e Kasharit dhe të Bathores, njoftoi arrestimin e tre të implikuarve në përplasjen mes grupeve të simpatizantëve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, si dhe shpalljen në kërkim të disa të tjerëve. “Për ngjarjen në Kashar, rreth orës 23:00 të mbrëmjes të së dielës, është bërë arrestimi i shtetasve Luan Sulaj 32 vjeç, dhe Viktor Sulaj 27 vjeç, respektivisht me banim në Kashar. Për ngjarjen në Bathore është bërë arrestimi i shtetasit Krenar Baja, 21 vjeç, me banim në Bathore, Tiranë. Arrestimi i tij u krye në orën 24:00, sepse pas një konflikti midis simpatizantëve të dy subjekteve politike, shtetasi i mësipërm dyshohet të jetë autor i dëmtimit të dy automjeteve në pronësi të shtetasve Elvis Vladi 20 vjeç dhe Ardian Ali 26 vjeç, banues në Tapizë”, ka deklaruar zëdhënësja e policisë, Alma Katragjini. Vetëm ditën e dielë në Kashar dhe në Bathore u konsumuan përplasje të ashpra mes militantëve, ku në të dyja rastet, flamujt elektoralë dhe banderolat ishin sebepi i sherreve të ndodhura. Ndërhyrja e policisë shmangu një përplasje mes qindra militantëve të PS-së dhe PD-së në Bathore, ndërsa në Kashar, ish-kryetari i komunës, Alfred Sula, dhe mbështetës të tij kanë ushtruar dhunë mbi dy vëllezër, ndërsa këta të fundit nuk pranuan të hiqnin flamujt e Partisë Demokratike nga prona e tyre dhe t’i zëvendësonin me flamuj të Partisë Socialiste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›