E Diel, 1 Nëntor 2026

PS përplaset me policinë për tendën elektorale para Kryeministrisë

Tiranë- Fushata elektorale ka shënuar dje një tjetër përplasje, por këtë radhë mes deputetëve të Partisë Socialiste dhe autoriteteve të Inspektoratit Ndërtimor. Konflikti që gati ka përfunduar me konflikt fizik, mes të pranishmëve, ka pasur si objekt vendosjen e një tende nga ana e opozitës pranë “Piramidës”. Përplasja është shënuar mes deputetëve socialistë, Sajmir Tahiri e Eduard Shalsi, kreut të Inspektoratit të Ndërtimit Erjon Softa dhe kreut të këtij inspektorati për njësinë nr.1 në Tiranë, Adem Dollapi. Socialistët pretendojnë se pengesa për ngritjen e tendës është krejtësisht politike, ndërsa deputeti Sajmir Tahiri sqaroi se të rinjtë e FRESSH kanë edhe lejen përkatëse, për ngritjen e kësaj tende provizore, që nuk mund të quhet ndërtim, ashtu siç pretendon Inspektorati Ndërtimor. “Situata është kjo që shihni këtu dhe ajo që keni parë gjatë ditëve është shenja më e freskët e panikut, që ka kapur Berishën e Bashën, shenja më e freskët e humbjes. Kemi marrë leje për ngritjen e një tende provizore, nuk është ndërtim, është një tendë që do shpërngulet. Inspektorati Ndërtimor në këtë rast po keqpërdoret nga Saliu dhe Luli i Saliut. Nuk kemi ende asnjë letër që ndalon ngritjen e tendës”, - tha Tahiri. Ndërsa vetë kreu i Ndërtimores për Tiranën, Adem Dollapi, i ndodhur në vendngjarje, shpjegoi se nuk bëhet fjalë për një tendë të thjeshtë, por për një ndërtesë, të cilën ai e quajti konstruksion metalik, për të cilin duhet leje ndërtimi. “Që të ndërtohet ky objekt, duhet të ketë një projekt dhe lejen e ndërtimit të dhënë nga KRT-ja e Bashkisë së Tiranës. Nuk është çadër elektorale, por konstruksion metalik, nuk lejojmë ndërtimet e paligjshme”, - tha kreu i Ndërtimores. Deputeti Eduard Shalsi deklaroi se incidenti është i evitueshëm, pasi konstruksioni ka lejen e Bashkisë, prandaj sipas tij “nuk ka nevojë për prani të policisë”. Mësohet se Inspektorati ka pezulluar ngritjen e çadrës së FRESSH për 10 ditë, gjë që kundërshtohet nga socialistët. Kreu i Ndërtimores, Erjon Sota, i mbështet arsyetimet e tij në bazë të ligjit 9780 “për inspektimin e ndërtimit”, ndërsa i kërkon deputetëve socialistë të protokollojnë dokumentin dhe nëse nuk janë dakord me vendimin, t’i drejtohen Prokurorisë. Ndërkohë që debatet vazhdojnë prej disa orësh, në to është përfshirë edhe deputeti Braçe, i cili mbron me forcë idenë se leja është e saktë. Sipas tij, kjo tendë do vazhdojë të ngrihet deri sa Inspektorati i Ndërtimit të paraqitet aty me një shkresë zyrtare, për pezullimin e punimeve. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, në vendin ku ishte vendosur tenda, kanë mbërritur disa punonjës të Inspektoratit të Ndërtimit, të cilët kanë hequr me forcë çadrën e të rinjve eurosocialistë, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur edhe punonjës të Policisë Bashkiake. Situata është acaruar, sidomos pas heqjes së tendës, ndërsa me ndërhyrjen e Policisë së Rendit, duket se gjithçka është qetësuar dhe të pranishmit janë ndarë nga njëri-tjetri.

Por përfaqësuesit e Partisë Socialiste janë shprehur të vendosur në ndërtimin e tendës, pasi kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Po ashtu, në Bulevard kanë qëndruar edhe punonjësit e Inspektoratit Urbanistik, të cilët gjithashtu e kanë konsideruar si të paligjshëm ndërtimin e kësaj çadre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›