Ministri në detyrë, Peka, padit për shpifje Shemsi Prençin
Me të njëjtën monedhë i është përgjigjur dhe ministri në detyrë, Avenir Peka, Drejtorit të Forcave Speciale në Policinë e Shtetit, pasi ky i fundit bëri kallëzim penal në prokurori. Në prokurori ka shkuar dhe Peka, i cili nga ana e tij ka mbajtur një qëndrim tërësisht refuzues ndaj akuzave të Prençit, duke e akuzuar atë madje për shpifje për shkak të detyrës. Ministria e Brendshme njoftoi dje në mbrëmje këtë veprim të ministrit në detyrë. “Sot më datë 11.04.2011, zv.ministri i Brendshëm z. Avenir Peka ka bërë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë një kallëzim penal, kundër Drejtorit të Forcave Lëvizëse Operacionale të Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, për veprën penale ”shpifje për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 240/2 i Kodit Penal. Ministria e Brendshme garanton opinionin publik se në asnjë rast apo rrethanë nuk do të lejojë keqpërdorimin e Policisë së Shtetit dhe anëtarëve të saj, për asnjë arsye apo motiv që bie ndesh me Ligjin për Policinë e Shtetit. Ministria e Brendshme u bën thirrje forcave politike të qëndrojnë larg përpjekjes për të instrumentalizuar politikisht struktura apo efektivë të Policisë së Shtetit”, - thotë zyrtarisht njoftimi i Ministrisë së Brendshme. I kontaktuar me telefon nga gazeta “MAPO”, ministri në detyrë, Avenir Peka është shprehur se do të ndjekë vetëm rrugën institucionale për t’iu përgjigjur akuzave, duke shtuar se nuk do të përdorë akuzat mediatike në reagimet e tij për këtë çështje.