E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidentet si version politik

AGIM BAÇI

Duhet të themi se çfarë nuk mund të bëjmë, apo se çfarë mundemi të bëjmë? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje vendos më pas edhe për mënyrën se si komunikohet me qytetarët, sidomos në zgjedhje. Dhe, nëse liderët politikë, kanë si qëllim që të nxjerrin në pah vetëm atë që nuk mund të bëjnë, doemos që loja do të mbetet në dorë të atyre që janë të aftë të luajnë në fushën e së keqes. Dhe përballë një gjuhe të tillë, logjika apo kërkesa e qytetarëve për kandidatët del menjëherë në plan të dytë, pasi krijimi i një situate luftarake kërkon në ballë të barrikadës politike ata që mbahen për trimëri, e jo për mençuri.Furia e incidenteve më të fundit në fushatë, me një hartë të gjerë shpërndarjeje, pak e nga pak po ia merr rëndësinë debatit mes kandidatëve dhe qytetarëve. Edhe pse të vogla në dukje, përhapja e tyre rrezikon të kthejë në rend të ditës çështjen e sigurisë në zgjedhje, gjë që do ta kthente situatën mes qytetarit dhe kandidatit shumë pas në kohë, duke i dhënë vetëm ngjyrim politik gjithë debatit aktual zgjedhor. Në një intensitet të tillë janë të pamundura edhe sqarimet e motiveve të incidenteve, duke i lënë pastërtisht në hamendësime politike, gjë që më së paku lë shumë qytetarë larg interesit për të dëgjuar debatin mbi idetë që kanë kandidatët për qeverisjen lokale, e ndoshta edhe fare larg votimeve.
Por çfarë mund të fshehë kjo hartë incidentesh?
Së pari, vlen të përmendim faktin se, përveç incidenteve fizike, kanosjeve apo shpërthimeve që janë pasqyruar nga mediat ditët e fundit, kemi pasur një situatë gati konfliktuale në KQZ, ku  fare qartë duket se nuk do të jetë e lehtë të arrihen marrëveshjet e duhura duke nisur që nga formatet, ashtu edhe nga çështjet e ankesave dhe leximeve të rezultateve. Gjithashtu, sulmet frontale të disa deputetëve socialistë në disa minibashki në Tiranë, kryesisht të drejtuara nga LSI, denoncimet e ndryshme apo dërgimet në gjykatë të çdo çështjeje kur koha lëviz në krah të kundërt, kanë qenë paralajmëruese të incidenteve, duke shënuar kështu një dyshe konfliktuale fiziko-politike të të gjithë performancës parazgjedhore.
Dhe të gjitha këto së bashku mund ta kenë të lidhur fitilin politik me datën 8 maj. Dhe duket se për këtë fitil po e mban gati shkrepësen politike z. Rama, i cili ka bërë të dyshohet që tani se mund të provokojë tërheqjen politike ditën e zgjedhjeve, duke e lënë procesin të përgjysmuar, çka do të ishte me një kosto të rëndë jo vetëm për rrugën drejt BE-së, por edhe për jetën tonë të përditshme.
Por, pse mund ti duhet Ramës një version i tillë?
Pas një kontestimi prej gati dy vjetësh të rezultatit zgjedhor dhe akuzave ndaj maxhorancës se ka devijuar vullnetin e zgjedhësve, rrënimi i procesit do të ishte rasti më i mirë për të treguar se akuzat e hedhura prej tij janë mëse të vërteta dhe ai nuk e ka bërë për karrige politike, por për qytetarët.
Por shqiptarët nuk kanë luks për të bërë zgjedhje ku të dallohet ajo që bëjmë keq apo shumë keq. Sepse ne nuk kemi nevojë të tregojmë se çfarë nuk jemi të zotët të bëjmë, por të tregojmë se çfarë mund të bëjmë. Ndaj, për të treguar se nuk është projektues i një projekti të tillë anarkik, e nëse është i interesuar për të shmangur incidentet politike, lideri i opozitës duhet ti drejtohet më së paku Kryeministrit për një deklaratë të përbashkët, për tu bërë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të arsyeshëm në mbështetjet politike.
Dhe afërmendsh, pas një situate të tillë, incidente mund të ketë kudo, mjafton që të ofrohet gjuha e konfliktit nga politika dhe shumë pasues janë gati ta shtojnë zërin e këtij megafoni. E nëse në metropolin politik mbetet përplasja vetëm në gjuhën e ashpër, në bazë, atje ku nuk mund të pretendohet se mbizotëron gjuha e komunikimit, situata e nxehur kthehet në përplasje, ose shkurt, në dajak e armë.
Po ne të gjithë duhet të besojmë se, përpara qetësisë, rezultati mbetet i parëndësishëm. E për më tepër, asnjë karrige politike nuk mund të jetë më me vlerë sesa një jetë e pafajshme, kudo qoftë ajo. Dhe për të krijuar këtë respekt për jetën, ne duhet së pari të jemi të vendosur të dënojmë çdo akt që tenton ti shndërrojë zgjedhjet në një betejë force, ose edhe më keq, në një betejë provokimesh ku jemi të humbur të gjithë. Dhe ne të gjithë e dimë se nuk kemi luksin për të provuar se çfarë nuk dimë të bëjmë, por të gjejmë rrugët për të treguar se çfarë mundemi të bëjmë. Dhe për këtë na duhen politikanë, të cilët i shikojnë qytetarët si mundësi për më mirë, dhe jo si pjesë e mundësisë për konflikt.
Natyrisht, në asnjë vend në botë nuk ka zgjedhje ideale, por ama ka gjithnjë ideale, të cilat bashkudhëtojnë me dëshirën dhe thirrjet e politikanëve kundrejt qytetarëve, për tu treguar se do të zgjojnë te gjithsecili energjitë pozitive, e jo mundësinë e qytetarëve për të treguar nëse mund të jenë pjesë e së keqes.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›