E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brez alienësh

19-04-2011 / Nga Umberto Eco

Mendoj se Michel Serres është një nga mendjet filozofike  më me sqimë që mund të gjendet sot në Francë, si një filozof për mbarë që di të priret edhe ndaj përsiatjeve të kohës. Pa m’u skuqur faqja(përpos ndonjë komenti vetjak), po sjell në vëmendje njërin prej artikujve të tij më të bukur të botuar në “Le Monde”, ku na sjell në vëmendje çështje që për lexuesit e mi më të rinj në moshë, kanë të bëjnë me fëmijët e tyre, e për më të moshuarit, lidhen me nipat tanë.
Sa për t’ia nisur, këtyre fëmijëve apo nipërve nuk u kanë zënë sytë qoftë edhe një derr, lopë apo pulë(aq më tepër kur më vjen në kujtesë një sondazh amerikan i tridhjetë viteve më parë ku bëhet e ditur se fëmijët njujorkezë ishin në masë të bindur se qumështi i super-marketeve, ishte një prodhim artificial ashtu si Coca-Cola). Qeniet njerëzore bashkëkohore nuk janë mësuar të jetojnë ‘në natyrë’ dhe njohin vetëm qytetet(sjell në kujtesë këtu faktin se kur shkojnë për pushime, jetojnë më shumë në “jovende” (nonluoghi), siç i ka përcaktuar Marc Augé, sipas të cilit udhëtimi për pushime është i ngjashëm me atë të aeroportit të Singaporit, e ne çdo rast, shfaq për ta një natyrë rurale e të tapinosur, krejt artificiale). Bëhet fjalë për njërin prej revolucioneve më të mëdha antropologjike pas periudhës neolitike. Këta fëmijë banojnë në mjedise të mbipopulluara, shpresat e tyre për jetëgjatësi i qasen të tetëdhjetave, e për shkak të jetëgjatësisë së prindërve e gjyshërve të tyre, nuk shpresojnë të trashëgojnë diçka kur prekin të tridhjetat, por në prag të pleqërisë.
Qysh prej gjashtëdhjetë vitesh, fëmijët evropianë nuk kanë njohur luftra, madje duke përfituar edhe nga përparimet që ka njohur fusha e mjekësisë, nuk kanë njohur vuajtje si të parët e tyre, kanë prindër më të vjetër sesa tanët (edhe pse shumica e tyre janë të divorcuar), studiojnë në shkolla ku ndajnë të njëjtin mjedis mësimi me fëmijë me ngjyrë, që i përkasin besimeve fetare e zakoneve  të ndryshme(madje, Serres nga ana tij shtron pyetjen se edhe përsa kohë do të vijojë të këndohet “Marsejeza” që i referohet “gjakut të papastër” të të huajve?). Cilat vepra letrare mund të shijojnë ende, duke parë se nuk ia kanë haberin jetës në fshat, vjeljes së rrushit, pushtimeve, monumenteve të të rënëve në fushëbetejë, flamujve të shpuar e shqyer nga plumbat e armikut, apo nevojës së ngutshme të moralit?
Janë formuar nga media të konceptuara nga të rriturit që e kanë tkurrur në 7 sekonda kohëzgjatjen e imazhit dhe në 15 sekonda kohën që nevojitet për t’iu përgjigjur një pyetjeje, dhe prej nga shohin vetëm gjëra që në jetën e përditshme nuk ua ka zënë syri, kufoma të gjakosura, shkatërrime, rrënime: “Kur janë bërë dymëdhjetë motakë, të rriturit i kanë shtrënguar të hasin(shohin) deri në 20 mijë vrasës”. Janë mbrujtur me reklama që e teprojnë me shkurtimet e fjalëve dhe përdorimin e fjalëve të huaja, duke u shkaktuar zvetënimin e thelbit të gjuhës amtare; nuk ia kanë haberin matjes me shifra me presje dhjetore, ngaqë hasin më shumë njësinë matëse me mijë; shkolla nuk është më mjedis i përvetësimit të dijeve, tashmë cep e skaj ka zënë vend kompjuteri; prandaj këta fëmijë jetojnë një jetë virtuale.
Shkrimi vetëm me gishtin tregues në vend të gjithë dorës “nuk u jep njëlloj ngasje si neuroneve ashtu edhe kores së trurit (korteksit). Në fund të fundit, përmbushin disa detyra në të njëjtën kohë (ashtu si kompjuteri). Ne jetojmë në një hapësirë metrike të perceptueshme, ndërsa ata jetojnë në një hapësirë imagjinare, ku afërsia dhe largësia nuk bëjnë dallim mes njëra-tjetrës.
Nuk po zgjatem më shumë me përsiatjet e Serres-it ndaj mundësive të mbarështrimit të nevojave të reja për kulturim. Panorama që na skicon na flet në çdo rast për një periudhë barabitëse, për një kokëpërmbysje gjithëplanëshe ndaj asaj të shpikjes së shkrimit, e shekuj më pas, edhe të shtypshkrimit. Veçse këto teknika të reja të ditëve të sotme po ndryshojnë me aq shpejtësi sa në të njëjtën kohë trupi pëson metamorfozë, ndryshojnë konceptet e lindjes dhe vdekjes, lëngatës e shërimit, të zanateve, vendbanimeve, të raportit njeri-univers”. Përse vallë jemi zënë shtang nga këto shndërrime të vrullshme? Serres del në përfundimin se ndoshta është faji edhe i filozofëve tanë që e kanë për zanat të parashikojnë ndryshimet e dijes e praktikës, e që nuk kanë bërë aq sa duhet. Ngaqë, “janë të zënë me politikë ditë më ditë, dhe nuk e ndjenë se po po u trokiste në derë bashkëkohorja”. Nuk e di nëse Serres ka të drejtë për çdo gjë, ama disa të drejta i ka.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›