E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatët e pavarur, PS dërgon 13 kërkesa në Kolegj

Partia Socialiste dërgon 13 kërkesa ankimore në Kolegjin Zgjedhor.Pas vendimeve në favor të saj përsa i përket fletës së votimit të kandidatit për Bashkinë e Tiranës dhe Këshillin Bashkiak, selia rozë ka kontestuar thuajse të gjitha vendimet e fundit të marra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me katër vota. Nga 13 kërkesat e socialistëve, dy prej tyre kanë të bëjnë me qendrat e votimit në Tiranë, dy të tjera me kandidatët e pavarur që janë regjistruar për bashkitë Sukth dhe Cërrik dhe nëntë kërkesa për kandidatët e pavarur të shpallur në komunën Labinot Mal, për këshillin komunal. Ndërkohë kreu i KQZ-së, Arben Ristani, jep alarmin se në ndonjë zonë të caktuar mund të mos zhvillohen zgjedhjet për shkak të kohës së vogël në dispozicion të prodhimit të fletëve të votimit. “Ne kemi llogaritur që teorikisht 12 ditë mund të mbarojë printimi që të kemi 2-3 ditë për t’i futur në kutitë përkatëse dhe për ti shpërndarë, por një defekt teknik do të na vendoste në vështirësi. Nuk di të them çfarë problemi mund të na krijonte, por problemi ekziston. Zgjedhjet vendore normalisht duhet të zhvillohen në të gjithë territorin menjëherë. Unë besoj se do të mbyllet i gjithë procesi, por nëse do të ketë ndonjë rrezik mund të rrezikohet ndonjë zonë e caktuar, jo i gjithë procesi”, tha Ristani në një intervistë në emisionin “Debat” të gazetarit Alfred Peza.
Kërkesa e PS
Partia Socialiste ka kontestuar dy vendime të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili pranoi kërkesat e PD-së për ndryshimin e qendrave të votimit në njësitë 4 dhe 9. KQZ-ja vendosi të rikthejë dy qendra votimi të Njësisë Nr. 9 në zonën ku kanë qenë në 2009-n. Kryetari Njësisë Bashkiake, Armond Halebi, kishte vendosur të ndryshonte vendin e qendrave 1959 dhe 1959/1, megjithëse fillimisht zgjedhësit ishin njoftuar për zonën ku do të votonin. Pas këtij vendimi, KQZ-ja e gjobiti me 30 mijë lekë kreun e Njësisë Bashkiake. Përsa i përket Njësisë Nr. 4, Partia Demokratike kërkoi që 7 qendra votimi, të cilave u ishte ndryshuar vendi, të ktheheshin në atë zonë ku ishin në 2009-n. Pas diskutimeve u vendos që kërkesa e PD-së të pranohet vetëm për katër qendra votimi, ndërsa tri të tjera do të qëndrojnë në vendndodhjen e re, me argumentin se për lëvizjen e tyre qytetarët janë informuar në kohë. Në të njëjtën kohë, Partia Socialiste i është drejtuar Kolegjit Zgjedhor edhe për dy vendime të marra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që kanë të bëjnë me dy bashki të vendit. Konkretisht, PS-ja ka kërkuar çregjistrimin e dy kandidatëve në bashkinë e Sukthit dhe atë të Cërrikut. Përsa i përket bashkisë së Sukthit, pjesë e qarkut të Durrësit, socialistët kërkojnë çregjistrimin e kandidatit Hysen Llaca. Gjithashtu, Partia Socialiste ka depozituar pranë Kolegjit Zgjedhor edhe nëntë kërkesa për kandidatët e pavarur të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për këshillin komunal në komunën Labinot Mal. Rreth 13 kandidatë në këtë njësi vendore iu drejtuan KQZ-së për t’u regjistruar për garën e 8 majit, por katër prej tyre u rrëzuan për shkak të problemeve në dokumentacion dhe tejkalim të afateve të paraqitjes së listave të qytetarëve që i mbështesin. Sipas Kodit Zgjedhor, një kandidat i pavarur duhet të sigurojë firmat e një për qind të votuesve të asaj zone për të hyrë në garë. Gjatë shqyrtimit të kërkesave ankimore PS-ja i kërkoi KQZ-së rrëzimin e pretendimeve të kandidatëve të pavarur.

vendimet

Ditët e fundit Kolegji Zgjedhor ka marrë disa vendime në favor të Partisë Socialiste. Fillimisht, Gjykata Elektorale rrëzoi një kërkesë të PD-së për të futur në listën e Këshillit Bashkiak të gjitha partitë e koalicionit të djathtë, me pretendimin se kjo është parashikuar në marrëveshjen elektorale të Aleancës për Qytetarin. Gjatë ditëve të fundit, Kolegji pranoi dy kërkesa të PS-së për vendosjen e siglave të të gjitha partive të majta pranë emrit të Edi Ramës, si dhe në fletën e Këshillit Bashkiak, Aleanca për të Ardhmen do të jetë përpara Aleancës për Qytetarin.

Kërkesat e PS në Kolegj

Rrëzimi i vendimit të KQZ-së për ndryshimin e qendrave të votimit në Njësinë Bashkiake Nr.4.

Rrëzimi i vendimit të KQZ-së për ndryshimin e qendrave të votimit në Njësinë Bashkiake Nr. 9.

Rrëzimi i vendimit të KQZ-së për mospranimin e kërkesës së PS për të çregjistruar Hysen Llacën si kandidat për kryetar të bashkisë Sukth.

Rrëzimi i vendimit të KQZ për mospranimin e kërkesës së PS për çregjistrimin e kandidatit për kryetar të bashkisë së Cërrikut dhe listën shumemërore të Këshillit Bashkiak.

Rrëzimi i 9 vendimve të KQZ-së për regjistrimin e kandidatëve në listën shumemërore për këshillin e komunës
Labinot Mal.

KQZ miraton fletët për 4 qarqe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje fletën e votimit edhe për katër qarqe të tjera. Gjatë mbledhjes u votua, me gjashtë vota pro, propozimi i administratës për fletën e qarkut të Beratit, Fierit, Dibrës dhe Korçës. Në të gjitha qytetet e mëdha kandidatët për kryetarë bashkie do të jenë vetëm të propozuarit e koalicionit “Aleanca për qytetarin” dhe ata të koalicionit “Aleanca për të ardhmen”. Deri tani është miratuar fleta për pesë nga 12 qarqet. Ndërkohë, zyra e shtypit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bëri të ditur se në mbledhjen që do të mbahet sot do të votohet edhe fleta e votimit për qarkun e Durrësit, të Elbasanit, Gjirokastrës, Shkodrës dhe Vlorës. Pas miratimit të këtyre qarqeve ngelen fletët e votimit për Lezhën dhe Kukësin.

Prodhohen fletët e  votimit për Tiranën

Shoqëria “Mediaprint”, e cila ka fituar të drejtën për të prodhuar fletët e votimit për zgjedhjet lokale të 8 majit, ka printuar deri paraditen e djeshme të gjitha fletët e votimit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Fleta e votimit, e cila përmban emrat e Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe Hysni Milloshit, u miratua të hënën në mbrëmje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Drejtori i Teknologjisë së Informacionit, Petrit Gjokuta, tha gjatë mbledhjes së djeshme të KQZ-së se deri në orët e mesditës kishte përfunduar fleta për kryetarin e Bashkisë dhe do të fillonte prodhimi i fletës për 11 kryetarët e njësive bashkiake. Koha e vogël në dispozicion të shoqërisë që do të prodhojë fletët e votimit ka bërë që partitë të mos kenë mundësi të korrigjojnë disa gabime në emrat e kandidatëve. Sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të gjithë vendin do të prodhohen 7.4 milionë fletë votimi dhe Tirana ka numrin më të madh të fletëve për shkak se në qytet do të votohet me katër fletë votimi.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›