E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga Foibet tek varrezat masive, prova si komunistët, ideologji të vetme kanë vrasjen

19-04-2011 / Nga Ilirian Dahri

Pas një kilometri ecje, ndaluam në këmbët e një kodre ku, nëpërmjet një teli, na varën në duart e lidhura një gur që peshonte rreth 20 kilogram. Na shtynë drejt zgripit të një foibe-je, goja e të cilës hapej e zezë dhe e frikshme. Një prej nesh, gjysmë i shkalluar nga torturat, u hodh vetë duke ulëritur në humnerë. Një partizan që qëndronte në këmbë me një mitraloz të drejtuar drejt nesh nga një shkëmb në njërën  prej krahut tonë, na tha se duhej ta ndiqnim atë shembull. Por meqenëse nuk po lëvizja, më qëlloi. Por në këtë çast ndodhi mrekullia: plumbi në vend që të më godiste çau telin që mbante të mbërthyer gurin, kështu që, kur u hodha në humbëtire, guri kishte shkarë larg meje. Gropa kishte një largësi rreth 10 metra dhe me një thellësi 15 metra deri tek sipërfaqja e ujit që ndodhej në fund. Nuk preka fundin dhe duke ardhur sërish lart munda të fshihesha pas një shkëmbi. Pastaj pashë  të hidheshin katër persona të tjerë të goditur nga breshëritë e mitralozëve dhe kapa fjalët e vrasësve “herën tjetër do ti hedhim nga këtu, është më komode”. Pak më vonë  në gropën humbëtirë u hodh një bombë që shpërtheu nën ujë duke më shtypur me presionin e saj kundër shkëmbit. Kur ra mbrëmja arrita të ngjitesha duke u kacavjerrë në shkëmbinjtë, dhe qëndrova rreth e rrotull për katër ditë dhe katër net rresht, i mbyllur në një vrime –  kështu e përshkruan një dëshmitar Italian që përjetoi pastrimin etnik, të vitit 1943, të kryer nga komunistët jugosllavë në të atëhershmen Venecia –Xhulia.
Në fakt, gjatë periudhës shtator - tetor 1943 komitetet popullore të lirisë partizane filluan të jepnin qindra dënime me vdekje për përfaqësuesit fashistë dhe të Shtetit Italian por edhe për kundërshtarët politikë apo për italianët më të famshëm të asaj zone. Hartoheshin disa lista me emra të fashistëve por ku bënin pjesë edhe njerëz që nuk kishin patur fare lidhje me fashizmin të cilët u ekzekutuan nga këto komitete partizanësh bashkë me shumë njerëz të tjerë të etnisë italiane dhe asaj kroate. Pjesa më e madhe e tyre u hodh nëpër foibe (kështu quheshin në gjuhën lokale, gropat e thella nëpër shkëmbinj) ose nëpër miniera të braktisura dhe shpeshherë sipas dëshmitarëve futeshin edhe të gjallë pa asnjë mundësi shpëtimi. Mbi këto tmerre të partizanëve jugosllavë është mbajtur një heshtje e gjatë. Madje edhe vetë populli italian ka qenë i informuar pak ose nuk ka qenë në dijeni të këtyre tmerreve dhe për ti mësuar këto ka pritur vitin 1990. Për shumë historianë italianë, heshtja që kaploi tragjedinë e njohur me emrin foibe mund të jetë shkaktuar nga një klimë heshtje ndërkombëtare, e cila u nxit së tepërmi me prishjen mes Stalinit dhe Titos të vitit 1948, në një moment që vendet perëndimore kërkonin të kishin me Jugosllavinë marrëdhënie të mira duke dashur në njëfarë mënyre shkëputjen e saj nga blloku komunist. Por edhe PCI (Partia Komuniste Italiane) kishte si interes të sajin që mos të flitej për foibet, duke mos dashur kështu të shkonte jashtë linjës të komunizmit botëror dhe ky lloj interesimi përputhej në njëfarë mënyre edhe me heshtjen nga ana e Shtetit Italian për të cilin ishte jetike një kapërcim i shpejtë i historisë pas luftës së dytë botërore. Ndoshta i vetmi zë në ato vite që ka folur  për masakrat e kundrejt italianëve ka qenë e djathta italiane edhe pse ndonjëherë e ka përdorur për t’ju kundërvënë komunistëve duke rritur shpeshherë sipas të majtës italiane edhe numrin e viktimave. Flitet për 15 000 viktima por nganjëherë numri i tyre arrin deri në 30 mijë. Vetëm pas luftës së ftohtë problemi i foibes filloi të trajtohej gjerësisht nga ana e mediave italiane dhe si rrjedhojë përfshiu edhe kulturën italiane me botime të ndryshme librash por edhe filmash duke vazhduar në këtë mënyrë të përfshijë edhe shoqërinë italiane për hir të së vërtetës deri në ato momente nuk e njihte ose e njihte shumë pak problemin e shkaktuar nga komunistët ndërkombëtarë. Sidomos pas një filmi të prodhuar nga Rai me titullin domethënës “Zemra në pus” mund të thuhet se opinioni publik italian u njoh gjerësisht me këtë pastrim etnik. Vetë termi që po përdoret u shqiptua për herë të parë nga Presidenti i Republikës Italiane Xhorxhio Napolitano me rastin e celebrimit të Ditës së kujtimit ne Romë më 10 shkurt të 2007, në përkujtim të të vrarëve dhe refugjatëve italianë, datë që rikujton edhe traktatin e Parisit të nënshkruar në vitin 1947 që i akordoi Jugosllavisë komuniste të Titos pjesët e pushtuara. “Një rivalitet shoqëror dhe një projekt çrrënjosjeje të pranisë italiane në atë që ishte Venecia Xhulia, dhe që më pas u shua. Ishte pra një frymë urrejtjeje dhe një furi gjakatare, gjithashtu dhe një projekt aneksimi sllav, sidomos me Traktatin e paqes të 1947, dhe që do të merrte ngjyrat e një pastrimi etnik” – nënvizoi në fjalimin e tij Presidenti Italian.
Por që në vitin 1946, kishte patur probleme mbi këto krime të kryera. Toliati, asokohe Ministër i Drejtësisë Italiane kishte propozuar një amnisti e cila u aprovua nga qeveria italiane më 22 qershor të 1946 me dekret  që falte krimet e zakonshme dhe ato politike përfshi këtu edhe ato të kolaboracionizmit me armikun. Por ky dekret shtoi akoma dhe më shumë paqartësitë dhe ndarjet mes vetë italianëve. Vlen për tu përmendur fakti se nga vetë shoqatat e partizanëve italianë pati shumë kundërshtime. Sidomos në Piemonte, në qytetin e Astit u mblodhën shumë ish-partizanë, duke shkaktuar edhe një grevë të përgjithshme për të rishikuar edhe një herë mosfaljen e dënimit me vdekje të disa ish-fashistëve por që për fat qeveria e De Gasperit e menaxhoi shumë mirë situatën e krijuar. Debatet vazhdojnë ende. Ndërsa e majta italiane mban një qëndrim justifikues mbi ato masakra sepse sipas tyre ishin si një reagim ndaj brutalitetit fashist e djathta i quan thjesht krime të komunizmit ose më keq akoma si barbari sllavo-komuniste kundrejt një popullsie që kishte të vetmin faj se ishin italianë. Por historiani Raoul Pupo shkruan: “Foibet ishin një variant lokal i një procesi të përgjithshëm që përfshiu të gjitha territoret në të cilat u realizua marrja e pushtetit nga ana e lëvizjes partizane komuniste jugosllave”. Vrasjet kishin si qëllim eliminimin e kundërshtarëve të mundshëm të regjimit komunist jugosllav dhe ishin një prej elementëve themelorë për ngritjen e regjimeve të egra komuniste duke ndjekur shembullin e Stalinit. Ndërsa për të majtët justifikimi arrin deri në absurditet. Në ato vite mbërritja e refugjatëve italianë në Itali pritej kështu: “nuk do ti japim kurrë azil atyre që kanë ardhur në qytetet tona të mëdha, të shtyrë jo nga armiku por të frikësuar nga fryma e lirisë që përkonte me ushtritë liberatore. Këta, nuk meritojnë solidaritetin tonë dhe nuk kanë të drejtë të na marrin bukën dhe hapësirat tona” – do të komentonte një gazetar i Organit të Partisë Komuniste Italiane në faqet e gazetës “Uniteti” në nëntor të 1946. Ndoshta komunistët italianë nuk kishin përgjegjësi direkte por i lanë kontrollin ushtarak të këtyre zonave partizanëve të Titos. Së fundmi mund të thuhet se komunistët italianë ishin koherent me internacionalizmin sipas së cilit shtrirja e komunizmit ishte një vlerë më e lartë sesa ajo e atdheut. Dhe kështu duhej heshtur edhe për krimet e komunistëve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›