E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vota e konformistëve

SAMI NEZA

Përveç votës së militantëve të të dyja partive politike, që legjitimojnë fuqinë e partive dhe kandidatëve respektivë, është edhe një votë tjetër. Ajo shpesh thirret vota gri, apo elektorati gri, përmes të cilit forcat politike ia dalin të ndryshojnë status-quo-në dhe të përmbysin realitetet e vjetruara, të cilat nuk mund të realizohen përmes militantizmit  politik të votuesve, por përmes një konformizmi civil të qytetarëve të paangazhuar. Në rastin e Tiranës, kjo votë gri mund të thirret edhe votë konformiste, e cila është e nevojshme të realizojë pritshmëritë e qytetit përtej një produkti politik të zgjedhjeve për kryebashkiakun e Tiranës.Duke qenë se është votë që nuk vjen prej rreshtimeve politike dhe nuk frymëzohet prej rreshtimeve të tilla, bile as ndikohet prej tyre, është ndërkaq edhe një votë realiste që kthehet në mjet për të përfituar maksimumin e mundshëm përmes mundësive që paraqiten prej kandidatëve.
Tirana është një rast ideal i shpërthimit të konformistëve si një forcë reale e paorganizuar, por e orientuar drejt për të marrë në dorë të ardhmen e qytetit dhe për tiu bashkëngjitur atyre vullneteve politike, të cilat përafrojnë më shumë me konsideratat e konformistëve.
Duke qenë se nuk u përkasin besimeve politike, ata janë besimtarë të pastër të qytetit.
Por për çfarë ka nevojë qyteti të cilit ata i besojnë më shumë se partive politike?
Tirana duhet të dalë prej qytetit të kontradiktave, projektuar dhe zbatuar prej Edi Ramës. Të marrë fund historia e një menaxhimi, i cili atje ku shtron asfalt dhe të heq baltën, ajri është i ndotur dhe atje ku ka ajër të pastër rrugët janë me baltë; atje ku gjen punë nuk gjen parkim dhe atje ku ka parkim nuk gjen punë; atje ku ke shtëpinë mungon gjelbërimi dhe atje ku gjen gjelbërimin nuk ke me se të shkosh; ku fasadat e pallateve përpara janë në ngjyrat latine të ndezura e nga prapa janë në latinet e bidonvileve; ku romët grumbullohen në periferitë e heshtura, ndërsa zhurma rome mbush skaj më skaj lagjet e qendrës; ku lejet e ndërtimit pasurojnë të zotin e lejes dhe jo të zotin e tokës; ku banorët e Tiranës janë shndërruar në një racë e fortë për të përballuar dobësitë e pushtetit të Bashkisë; dhe ku vetë Bashkia e Tiranës është selia e PS-së dhe selia e PS-së është Minibashkia Nr. 12.
Për daljen prej qytetit të kontradiktave nuk është e mjaftueshme një vullnet lokal, sado i fortë dhe i sinqertë të jetë ai me qytetin. Duhet një vullnet që vjen edhe prej qeverisë qendrore dhe prej të cilit mund të sigurohen shumë mundësi për të tejkaluar epokën e ndërtimit të një Tirane spontane. Tirana dhe dy-tri qytete të tjera të mëdha të vendit kanë nevojë për një fuqi që tejkalon kapacitete lokale për të kthyer rendin e qytetit tek to.
Rast tipik është Shkodra, e cila që nga viti 1997 deri në 2005-n, për gati dhjetë vjet, nuk njohu asnjë investim nga fondet qeveritare, përveç atyre që vinin prej fondeve të Bashkisë. Por, me ato fonde vetëm mund të pastrosh qytetin e të mirëmbash ndonjë rrugë të vogël, por asnjëherë nuk mund të realizohen projekte që ngrenë qytetin. Por Shkodra u kthye në një qytet model pas zgjedhjeve të 2005-s, ku pushteti qendror mbështeti fort qeverisjen lokale të qytetit, duke e shndërruar tërësisht atë.
Por edhe banorët e Tiranës e dinë mirë se si ishte qyteti i tyre deri në vitin 2000, kur në krye të saj erdhi një socialist. Nuk kishte rrugë të shtruara, ndriçimi mungonte, ndërsa informaliteti sundonte në të gjitha anët e tij. Kjo pasi vullneti lokal dhe ai qendror kishin një mal në mes. PD-ja kishte Bashkinë që kishte fituar në vitin 1996, ndërsa PS-ja kishte pushtetin qendror pas qershorit të vitit 1997. Pas marrjes së Tiranës nga socialistët, në pak vjet, qeverisja e Tiranës, e furnizuar tërësisht prej vullnetit të qeverisë qendrore, ia doli të kthente fytyrën e qytetit.
Prej atëherë vota e konformistëve ka hyrë në lojë duke ia dhënë çelësin e Bashkisë Edi Ramës me shpresën se kontradiktat do të shkriheshin dhe qyteti do të funksiononte për banorët e vet. Për shkak të konformizmit ai fitoi edhe në vitin 2003 dhe, natyrisht që konformistët kanë pasur efektin e vet edhe në vitin 2007. Tirana u zhvillua, por bashkë me të u zhvilluan edhe problemet, të cilat nuk morën zgjidhje pasi, ndër të tjera, edhe vullneti lokal është i pamjaftueshëm për të mbajtur gjallë qytetin e madh që është trefishuar në njëzet vjet. Tiranës i duhet Unaza e Madhe, tramvaji, projekti urbanistik. Tiranës i duhet një park tjetër i gjelbëruar dhe dy-tri qendra të reja që shkarkojnë ngarkesën e qendrës aktuale, i duhen porta të reja si ajo e Veriut dhe, ndërkaq, ndërtimi dhjetëra parkimeve e zgjerimi i dhjetëra e dhjetëra rrugëve dhe trotuareve.
Duhet një përputhje vullnetesh qendrore me ato lokale, përputhje që vjen për shkak të përputhjeve të strategjive, mjeteve dhe menaxhimit, për të përballuar efektin e rritjes së Tiranës dhe përballimin e problemeve që ka krijuar Bashkia e Ramës dhe konformistët duhet ta dallojnë këtë nevojë. Kryeqyteti është bërë nyje, se pa një përputhje të tillë, do të mbetet te viti 2003, kur Bashkia nisi të reflektonte dalëngadalë si seli partie, shumë larg vullnetit dhe përmbajtjes së votës së konformistëve.
Sot Bashkia e Tiranës është një seli partie që nuk ka asnjë lidhje me interesat e zonës gri të votave që janë të lidhura me qytetin dhe vetëm me atë. Konformistët janë të fundit që votojnë politikisht. Bashkia e Edi Ramës nuk është me streha e kësaj vote.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›