Incidenti me 2 koretë, anija koreano jugore kalon kufirin
Zyrtarët koreano-jugorë informuan se një anije peshkimi koreano-jugore është kapur dhe rimorkiuar në një port koreano-verior. Agjencia koreano-jugore e lajmeve Yonhap citon një zyrtar koreano-jugor të mbrojtjes të ketë thënë se incidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes në Detin e Lindjes, ose Detin e Japonisë. Zyrtari gjatë një interviste ka deklaruar për agjencinë e lajmeve Yonhap se incidenti ndodhi kur sistemi satelitor i navigimit në anije duket se nuk funksionoi siç duhet dhe aksidentalisht hyri rreth 11 kilometra në brendësi të ujrave territoriale të Koresë së Veriut. Ai tha se katër persona ishin në bord të anijes kur u gjet nga autoritetet koreano-veriore. Yonhap citon gjithashtu zyrtarin të thotë se autoritetet koreano-jugore kanë dërguar një mesazh ku i bëjnë thirrje Koresë së Veriut që ta kthejë menjëherë anijen për arsye humanitare. Burimet zyrtare informuan se Koreja e Veriut nuk ka kthyer përgjigje.