E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti me të verbrit, Topi: Akt i shëmtuar

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Republikës Bamir Topi ka reaguar ndaj incidentit me të verbrit të ndodhur para pak ditësh para kryeministrisë. Ai e cilësoi dhunën e ushtruar nga biznesmeni ndaj dy grave të moshuara, njëra prej të cilave e verbër si “një akt të shëmtuar” për imazhin e shoqërisë. “Është detyrim institucional që institucionet specifike të denoncojnë publikisht rastin”, - tha Topi gjatë ceremonisë së diplomimit të zonjave pjesëmarrëse në programin e National Democratic Institute “Zhvillimi i Liderëve të Rinj në Politikë”. “U bëj thirrje specifike zonjave që të mos qëndrojnë indiferente, po me qëndrimin e tyre të reagojnë ndaj këtij akti”, - shtoi ai. Presidenti bëri thirrje për një pjesëmarrje më të madhe të grave, dhe ekuivalentimin me pjesëmarrjen e burrave në vendimmarrje e politikë si një proces jetik dhe natyral. Topi tha se kishte qenë vetë përkrahësi i kësaj nisme me emërimet që kishte bërë nga posti i kreut të shtetit. “Me dëshirën që pjesëmarrja e grave të jetë e pranishme por edhe ekuivalente, në nominimet e mia kanë mbizotëruar zonjat e jo zotërinjtë. Në Gjykatën e Lartë kam dominuar më shumë gra. Kam emëruar një grua në krye të Gjykatës së Lartë, në KLD, në Gjykatën Kushtetuese. Roli i gruas është jetik për shoqërinë”, - tha ai. Gjatë fjalës së tij, Topi vlerësoi ligjin propocional për zgjedhjet e reja parlamentare, të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, i cili favorizon një pjesëmarrje më të lartë të femrës në politikë. Ne aktivitet ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uithers, i cili u shpreh se në Shqipëri vihen re arritje të pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje, por kërkoi që të bëhet më shumë në këtë drejtim. “Nëse jeni të kënaqur me përqindjen e përfaqësuesve të grave në institucionet e vendit, atëherë në rregull, dhe, nëse jo, atëherë jeni ju që duhet të veproni dhe të vendosni”, - tha Uithers.

Ky lajm është publikuar: 27/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›