E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Nano faktor i rëndësishëm i së majtës

Autori i Lajmit: Suela Topi
Deklarata

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zbut tonet ndaj liderit historik të partisë Socialiste, ish-kryetarit të saj Fatos Nano. I pyetur lidhur me deklarata e fundit të Nanos të dhëna pak ditë më parë në një emision televiziv ai tha se nga të gjitha komentet e Nanos vlerësonte në mënyrë të veçantë shqetësimin e tij lidhur me domosdoshmërinë e një bashkëpunimi të forcave opozitare për të garantuar fitoren në zgjedhje. Ai shtoi se pavarësisht moskandidatimit të Nanos në Zgjedhjet e 28 Qershorit, ai shpreson se ish-kreu i PS-së do të ketë një rol aktiv në fitoren e opozitës. Meta u shpreh i gatshëm edhe të bashkëpunonte me të duke pohuar se ishte i hapur të punonte me të gjithë faktorët progresistë dhe opozitarë ndërsa theksoi se Nano është një faktor shumë i rëndësishëm në të majtën shqiptare.
Deklarata
“Nga qëndrimet e Nanos, unë do të doja të merrja thelbin e shqetësimit të tij. Atë çka do të vlerësoja si më racionalen nga shqetësimi i tij, është pikërisht domosdoshmëria e një bashkëpunimi midis forcave të opozitës për të garantuar një fitore në zgjedhjet e 28 Qershorit. Unë uroj që Nano pavarësisht nga moskandidimi për deputet në zgjedhjet e 28 Qershorit, të ketë një rol aktiv për të ndihmuar në fitoren e opozitës dhe të majtës në zgjedhjet e 28 Qershorit, pasi duhet thënë se ai përfaqëson një faktor shumë të rëndësishëm të së majtës dhe në këtë mënyrë është e domosdoshme që të gjithë këta faktorë të bashkërendojnë dhe të bashkëpunojnë me qëllimin kryesor, fitoren e opozitës, fitoren e së majtës dhe forcave progresiste dhe nxjerrjen në pension politik të Kryeministrit aktual, Berisha. Besoj që pas 28 Qershorit, projekti për bashkëpunimin e të majtës mbi principe shumë demokratike do të jetë i hapur”, - tha Meta. Lidhur me mundësinë e bashkëpunimit me Nanon ai tha se do të bashkëpunonte me çdo forcë progresiste. “Unë jam shumë i hapur të bashkëpunoj me të gjithë faktorët progresistë dhe opozitarë dhe padyshim që më duhet të theksoj se Nano është një faktor shumë i rëndësishëm në të majtën shqiptare për shkak të një roli të rëndësishëm dhe historik që ai ka pasur. Ai përfaqëson një figurë tepër komplekse dhe njëkohësisht besoj se është një figurë ende shumë përfaqësuese dhe në këtë drejtim është i domosdoshëm bashkëpunimi me të dhe një rol i tij më aktiv në drejtim të fitores së përbashkët të së majtës dhe opozitës në zgjedhjet e 28 Qershorit”, - pohoi dje lideri i LSI-së. Pak ditë më parë Nano e vlerësoi Metën si një socialist që është ende pjesë e së majtës. Sipas tij Rama nxiti largimin e Metës nga PS. Ai theksoi nevojën e bashkëpunimit të së majtës ndërsa vuri në diskutim fitoren e saj. Komentet e Metës lidhur me Nanon u bënë gjatë në vizite që zhvilloi në një prej biznesve fason në Kombinat të Tiranës ku ai tha se forca që ai drejton ka një plan për të ndihmuar këto biznese që punësojnë 100 mijë gra dhe vajza shqiptare.

Ky lajm është publikuar: 27/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›