E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Garantoj se do të zgjidhim çdo problem për pronat”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Republikanët çelin fushatën

Kryeministri Berisha i ka dhënë një mbështetje të fortë kreut republikan, Fatmir Mediu. Berisha e cilësoi Partinë Republikane si një ndër aleatet më të fuqishme në koalicionin qeverisës, si dhe në kryerjen e reformave në vend, duke mbrojtur kreun e PR-së ndaj akuzave të shoqatës së ish-pronarëve. “Unë ju garantoj ju se qeveria ime do të bëjë çdo përpjekje deri në zgjidhjen e dosjes së fundit të problemit të pronësisë”. Berisha mori pjesë në çeljen e fushatës së kësaj partie në Tiranë. Duke u ndalur në çështjen e pronave, Berisha vlerësoi programin e republikanëve. “Dua të falënderoj Kryetarin e PR-së, Fatmir Mediu, ta falënderoj me mirënjohje, sepse jam dëshmitar i kontributit të veçantë dhe të rëndësishëm që kryetari juaj ka dhënë në projektin më madhor të këtij kombi, pas pavarësisë së Shqipërisë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Fatmir Mediu ishte një nga të parët ministra dhe drejtues që i besoi mundësisë së shndërrimit në realitet të atij projekti, në një kohë kur besimet për të ishin në nivelet minimale. Jehona e reformave, rezultati i reformave të kësaj qeverie, ndryshimet e mëdha që ne realizuam e bënë vendin gjithnjë e më të vlerësuar, gjithnjë e më të besuar dhe dëshmi e kësaj është miratimi që të 27 parlamentet e vendeve të Bashkimit Evropian i bënë në një kohë rekord MSA-së; një tjetër dëshmi e saj është ratifikimi brenda tetë muajve, nga 26 parlamente të vendeve anëtare të NATO-s, Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO; dëshmi e saj është performanca aktuale e ekonomisë shqiptare që qëndron sërish në krye të rritjes ekonomike. Rruga është me shumë dimensione. Ata që e penguan ndërtimin e rrugës tetë vite më parë, e penguan me një armiqësi të hapur me interesat e shqiptarëve, ndërsa ne u themeluam dhe u konsoliduam si parti e interesit kombëtar. Për ne vizibiliteti kombëtar është përparësi e të gjitha vizibiliteteve. Ne do t ua japim Shqipërinë në pëllëmbë të dorës qytetarëve shqiptarë. Ne nuk do të lëmë tunel pa hapur dhe nuk do të lëmë grykë pa çelur në mënyrë që shqiptarët në një shpejtësi maksimale të vijnë në kryeqytetin e tyre nga Tepelena, Korça, Dibra dhe mbarë Shqipëria. Ne nuk kemi fjalë, por kemi vepra të faktuara”, - tha Kryeministri. Më tej Berisha foli dhe për çështjen e pronave si një çështje në interes të republikanëve duke thënë: “Unë jam këtu për t u zotuar se e tërë përpjekja jonë e madhe dhe të gjitha reformat që ne ndërmarrim kanë vetëm një synim; se si të ndryshojmë për mirë jetën e qytetarëve shqiptarë. Ju sot vini krenarë me kontributin tuaj të madh që keni dhënë për një nga çështjet më themelore, sepse prona është një nga çështjet më themelore të një rendi shoqëror. Ju keni një program të shkëlqyer, por keni ditur dhe të bëni kompromis në emër të më së madhes, keni sakrifikuar më të voglën, sepse vetëm kështu ecet. Dhe cili është bilanci? Sot bilanci është: mbi 700 mijë familje të pronësuara nga ky koalicion që nga viti 92 e deri më sot. Nuk e mohoj që janë mijëra e mijëra dosje ende të pazgjidhura, ndaj dhe të zotohemi sot së bashku se do të rendim pas secilës prej tyre, sepse ne kemi moralin, kemi përkushtimin dhe kemi zotimin të shkojnë në zgjidhjen e secilës prej tyre. U ndeshëm me një mal falsifikimesh, të cilat mbartin në vetvete grabitje dhe plaçkitje të mëdha. Po i çmontojmë një nga një, por këtu duhet gjakftohtësi dhe durim. Në qoftë se angazhohemi t i çojmë këto dosje deri në fund, nuk duhet të harroni se gjejmë pengesa që shtrihen dhe nga vetë familjet, por kjo nuk do të thotë që shteti të heshtë dhe që qeveria jonë nuk do të merret më këto probleme. Unë ju garantoj ju se qeveria ime do të bëjë çdo përpjekje deri në zgjidhjen e dosjes së fundit të problemit të pronësisë. Pra, së bashku me ju, në katër vitet që vijnë Shqipëria do të ndryshojë së paku katër herë më shumë nga sa ndryshoi këto katër vite që lëmë pas”, - përfundoi kreu i qeverisë Berisha në fjalën përshëndetëse në konventën e PR-së.
Ky lajm është publikuar: 27/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›