Tre deputetët e PS-së përjashtohen 15 ditë
Tre deputetët socialistë, Paulin Sterkaj, Armando Prenga dhe Saimir Tahiri, nuk do mund të marrin pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe në seancat plenare për 15 ditët e ardhshme. Kjo për shkak se Byroja e Kuvendit i ka penalizuar ata me masa ndëshkimore për sjelljet e tyre gjatë seancës së djeshme plenare, ku u panë jo pak skena konfliktuale. Byroja e Kuvendit u mblodh me kërkesë të shtatë deputetëve dhe mori në shqyrtim propozimin e një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për përjashtimin nga seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve të deputetëve Paulin Sterkaj, Saimir Tahiri, Armando Prenga, Dashamir Peza dhe Taulant Balla. Por ndërsa propozimi ishte për të penalizuar pesë prej deputetëve socialistë, Byroja ka vendosur masë vetëm për tre prej tyre. “Në mbledhjen e saj të parë, pas dhunës së ushtruar nga një grup i vogël deputetësh socialistë, në dhunim të Kushtetutës dhe ligjit, kërcënimit të jetës së deputetëve dhe ushtrimit të dhunës fizike ndaj tyre, Byroja vendosi përjashtimin nga komisionet dhe seancat plenare për 15 ditë, duke filluar nga dita e hënë 14 shkurt 2011, të deputetëve: Paulin Sterkaj, Armando Prenga dhe Saimir Tahiri”, - thuhej në vendimin e Byrosë.