Incidenti në Vjenë, Kuvendi shqyrton sot kërkesën e PD-së për hetim
Tiranë- Një grup deputetësh të Partisë Demokratike kanë dorëzuar në Kuvend një kërkesë, e cila do të shqyrtohet në seancën e sotme plenare, përmes së cilës duan ngritjen e një grupi hetimor për të zbardhur incidentin e ndodhur pardje në Vjenë mes kryesocialistit Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka.
Ditë më parë Ministria e Jashtme nëpërmjet një deklarate për mediat u shpreh se gjatë një takimi në Akademinë Politike të Vjenës ka ndodhur një incident mes shefit të opozitës dhe diplomatit tonë që aderon pranë OSBE-së.
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë diplomatë shqiptarë dhe të huaj. Gjatë bisedës është fyer imazhi i republikës, po ashtu në fund të bisedës diplomati jonë në Vienë dhe që operon pranë OSBE-së, zoti Egin Ceka, është fyer. Ai është afruar pranë zotit Rama për të diskutuar mbi një pikë lidhur me pengimin të votës së shqiptarëve emigrantë nëpërmjet ambasadave. Sipas tij kjo votë nuk do të ishte e mundur për shkak të politizimit të dipolmacisë. Nisur nga dëshira për të biseduar zoti Ceka është afruar duke theksuar se shërbimi diplomatik nuk është i poltizuar dhe do e kryente një shërbim të tillë. Zoti Rama ka reaguar në mënyrë agresive duke përdorur dhunë verbale dhe më pas fizike, e cila ka përfunduar me konflikt të hapur, i cili është shpërndarë nga të pranishmit. Ai i ka kërkuar Cekës të dalë nga salla duke përdorur fjalë banale,- shprehet MPJ-ja.
Lidhur me incidentin reagoi edhe kryeministri Sali Berisha, i cili u shpreh se do të ngrihet një komision hetimor, pasi është dhunuar diplomacia.
Jemi gati në këtë Parlament të sjellim jo një por 30 dëshmitarë. Është prekur diplomacia me dhunë, ne do krijojmë komision hetimor parlamentar për këtë akt të dhunshëm. Ky parlament voton komisionin hetimor parlamentar për të hetuar gjerë aktin e paprecedentë të turpshëm e amoral, që nuk ka ndodhur në historinë e këtij shteti, të agresionit të një diplomati të ri nga kreu i opozitës në një moment sfazimi total bipolarizmi ose overdoze. Ditën e hënë do të votohet komisioni”,- tha Berisha.
Sipas PS-së nuk ka patur asnjë dhunim, pasi sipas saj djali i ambasadorit Neritan Ceka i është afruar kryesocialistit duke e ofenduar, ndërsa ky i fundit ka tentuar ta qetësojë.