Incidenti në qendrën e votimit në Klos të Cërrikut, komisioneri Redon Çala: Ishte keqkuptim

Komisioneri Redon Çala në Njësinë Administrative Klos ka shpjeguar incidentin e ndodhur në qendrën e votimit, teksa po votohet për kreun e Bashkisë së Cërrikut, gjë e cila u përmend edhe nga kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Çala ka deklaruar se ka qenë një keqkuptim ku kryefamiljari ka ndihmuar bashkëshorten e tij në paaftësi për të vijuar procesin e votimit.
“Këtu ndodhi një keqkuptim rasti. Vjen familjari bashkë me familjen e tij, vjen bashkë me të atin. Shoqërohet nga kryefamiljari, dhe e shoqja e tij ishte në paaftësi për të vazhduar procesin e votimit, kërkon ndihmën nga bashkëshorti. Bashkëshorti afrohet dhe e ndihmon. Kaq ndodhi. Pastaj nga ana e vëzhguesit përdoret telefoni në ambientet e qendrës së votimit gjë që nuk është e lejueshme”, u shpreh Çala.
Ai shtoi se rastin është dërguar “pranë protokollit të KZAZ-së dhe do ta shkruajmë edhe në protokollin e mbledhjes ku do të marrim të gjitha firmat e kryetares, sekretares dhe anëtarëve. Procesi i votimi vijon të jetë e rregullt dhe pa i ndërprerë”
/rtsh.al/