Incidenti, sot jepet vendimi për Shoshin
Incidenti në Lushnjë me futbollistin e Apolonisë, Maringlen Shoshi, është bërë tashmë pjesë e hetimeve të prokurorisë së këtij rrethi, e cila e ka klasifikuar si plagosje të shkallës së lehtë. Denoncimi është bërë nga vetë i plagosuri, ndërkohë që burime të sigurta bëjnë të ditur se prokuroria do të marrë në pyetje edhe punonjës të policisë, që kanë qenë të ngarkuar me mbarëvajtjen e aktivitetit. Një tjetër hetim po në anën sportive do të bëhet edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila do t‘i kushtojë klubit të Lushnjës. Sipas nenit 24/1 të Kodit të Drejtësisë Sportive, myzeqarët rrezikojnë të gjobiten nga 100-300 mijë lekë, ndërsa skuadra vendase mund të luajë nga 1-6 ndeshje jashtë fushës së vet, ose pa praninë e tifozëve. Një tjetër nen i Kodit të Drejtësisë Sportive, ai 14, e gjobit klubin që nuk përmbush detyrat në drejtim të organizimit dhe sigurisë së ndeshjes me 100-500 mijë lekë, ose dy ndeshje pezullim. Në marrjen e vendimit të Komisionit të Disiplinës në FSHF, një rëndësi të veçantë ka edhe relacioni i gjyqtarit të ndeshjes dhe të deleguarit të federatës, pasi sipas nenit 24/21, ekipi vendas mund të humbasë ndeshjen edhe në tavolinë.