"Topi i Artë" i shkon K. Ronaldos, Mesi e ndjek K. Ronaldos, Mesi e ndjek
"Të fitosh ‘Topin e Artë‘ është një ëndërr që bëhet realitet. Historia ime si futbollist ka filluar në moshën 17-vjeçare, kjo është ndoshta një nga ditët më të bukura të jetës time. Dua të përmirësoj dhe të fitoj akoma", u ka thënë të ftuarve të "France Football". Ky është Kristiano Ronaldo dos Santos Aveiro, 23 vjeç, portugez nga Funchal, ishull i Madeiras, yll i Mançester Junajtid dhe më parë i Sporting Lisbonës: një fenomen që prej disa vitesh. Tashmë është edhe fitues i "Topit të Artë" i 2008, çmim ndoshta jo perfekt, madje i kritikueshëm, por sigurisht më prestigjiozi i botës së futbollit. Kristiano Ronaldo, përveç të tjerave është edhe një personazh i dashur i kopertinave. Dyzetedy gola të shënuar në sezonin e fundit, triumf në Premier League dhe në Champions, Kristiano bën gola, fiton dhe mbi të gjitha është i preferuari i tabloidëve anglezë. Të dashura me shumicë, pasi mund të ketë atë që do, madje edhe dy e tri në një verë. Dhe ndonjëherë, madje shpesh, feston i vetëm apo me shokë në mes të lumit të shampanjës dhe katër a pesë prostitutave. "Dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë votuar. Nuk isha i shqetësuar, sepse isha koshient për atë që kisha bërë në sezonin e kaluar. Por gjithçka mund të ndodhë. Dua të falënderoj shokët e mi të skuadrës që më kanë ndihmuar të jem më i miri, janë ata që më kanë pasuar topin për të shënuar shumë gola", nënvizon ylli i ri. Një kampion klasik, i cili bën të diskutohet për Mançester Junajtid: Për Mançesterin e kishte fituar Besti para tij, saktësisht 40 vjet më parë. Por Bekhami nuk mundi ta fitonte kurrë. Futbolli portugez po bën një hap të madh dhe propozon personazhe të çuditshme: nga Murinjo në pankinë te Ronaldo. Portugezët, që kanë triumfuar në të kaluarën janë Eusebio në ‘65 dhe Figo në 2000: Kampionë të mëdhenj. "Të fitosh pas këtyre dy lojtarëve të mëdhenj dhe në moshën vetëm 23 vjeç është diçka e mrekullueshme. Kur të kthehem në stërvitje, do t‘i futem menjëherë punës për të qenë më i miri. Do të jem i njëjti person si gjithmonë, me të njëjtën dëshirë për të fituar akoma më shumë. Sepse të fitosh është shumë e bukur...". Mori një fitore plebishitare. 96 gazetarët e jurisë, të zgjedhur nga "France Football" e kanë dekretuar fitoren e portugezit me 446 vota nga 480 të mundshmet. Dyshohet se këtu ka influencuar edhe fakti që ai është edhe personazh përveçse futbollist. I shkëputur me vetëm 281 vota, argjentinasi i Barcelonës, Lionel Mesi, pas tij Torres me 179, Kazijas 133, Ksavi Hernandez 97. Këtë të fundit, shumë lojtarë dhe trajneri i konsiderojnë si më të talentuar dhe spektakolarë se portugezi. Në ndeshjen e fundit, Ronaldo u ndëshkua me karton të kuq, pasi e preku topin me dorë si të ishte volejbollist. Ndërsa Mesi me Barcelonën ka shënuar me të majtën një gol fantastik, nga një pozicion thuajse i pamundur. Një gjë është e sigurt, Champions vlen më shumë se fitorja e Evropianit. Kështu ndodhi edhe vitin e kaluar me Kakà. Futbolli latin dominon, por pëlqehet edhe ai anglez: Xherrard, Runi e Lampard janë mes 15 të parëve. Spanja kampione Evrope nuk është as e para, as e dyta, por dominon 20 vendet e para me talentet e saj: Torres (i 3-ti), Kazijas (4), Hernandez (5), 7 Vija, Sena (11), Fabregas (19). Portugalia, Argjentina, Spanja: shumica e "Topave të Artë" vijnë nga këto vende. Italianët janë shumë mbrapa, Kaka i 8-i, ndërsa Ibrahimoviç i 9-i.