E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi i Bubullimës zbulon rezerva të reja nafte

Fier “Albpetrol” arrin të ndalë rrjedhjet dhe të shtojë burimet

Kompania “Albpetrol” sh.a, në bashkëpunim me kompaninë e huaj “Banker’s petroleum”, ka arritur të realizojë mbylljen e pusit “Bubullima 14”, që disa javë më parë i mori jetën kryeinxhinierit të repartit të Avaro-Shpëtuesve dhe rrezikoi jetën e disa specialistëve të tjerë. Nga studimi që u bë për riparimin e kësaj avarie u zbulua se në zonë ka ende rezerva të naftës që mund të shfrytëzohen me anë të teknologjive të përparuara.

Zbulimi

Ferdinand Murati, drejtori i përgjithshëm i kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës, shpjegon se zona e Kallmit i është nënshtruar së fundmi një studimi të veçantë. Kjo erdhi si rezultat i avarisë që ndodhi te “Bubullima 14” dhe tashmë po shihet mundësia e shfrytëzimit të nëntokës së kësaj zone me metodat e fundit. Sipas Ferdinand Muratit, i cili bazohet tek rezultati i studimeve të kryera, konfirmohet se Kallmi do të jetë objekt i shfrytëzimit horizontal për nxjerrjen e “thesarit” të nëntokës. Deri tani, metoda e përdorur nga industria vendase ishte ajo e shpimit vertikal. Shfrytëzimin e shtresave me metodën horizontale e kanë futur për herë të parë kompanitë e huaja, edhe pse konsiderohet prej specialistëve vendas si një metodë shkatërruese për industrinë e naftës. Por në kushtet kur shumë prej puseve të zonës nuk punojnë dhe “Albpetrol” po shton përpjekjet për të rritur vlerën në treg në prag të privatizimit, metoda e shfrytëzimit horizontal po shihet me prioritet.

Mbyllja e pusit

Pusi “Bubullima 14” ndodhet në fshatin Kallm, rreth 10 kilometra larg qytetit të Fierit dhe që nga viti 1974 ka hyrë në fondin e puseve të ndalur. Në fillim të muajit maj, ky pus nisi të çlirojë në natyrë gaz dhe mbetje të tjera nëntokësore. Kjo vazhdoi për disa ditë, çka bëri që banorët e zonës të shqetësoheshin. Ankesa shkoi fillimisht në komunë dhe kjo e fundit e përcolli pranë kompanisë. Sektori përkatës për defekte të tilla Avaro-Shpëtuese ndërhyri menjëherë, por aksioni i specialistëve të këtij sektori rezultoi i dështuar, pasi në ndërhyrje e sipër kryeinxhinieri humbi jetën si pasojë e asfiksisë nga gazi. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë ka qenë mjaft e vështirë ndërhyrja. Drejtori i kompanisë, Ferdinand Murati shprehet për “Shqip” se çlirimi i gazit në natyrë nga “Bubullima 14” duhet pranuar se nuk ndodhi vetëm si pasojë e ndryshimit të natyrshëm të shtresave, por edhe si pasojë e ndërhyrjeve të specialistëve të huaj të “Banker’s”.

“Pas ngjarjes së rëndë nisëm studimin e pusit. Bashkëpunuam me kompaninë e huaj ‘Banker’s’ dhe arritëm që në uzinën mekanike të mund të prodhonim materiale speciale që nevojiteshin për mbylljen e këtij vendburimi. Pas afro dy javësh ndërhyrje arritëm që të premten të bënim mbylljen përfundimtare e pusit. Tashmë nuk ka më çlirim gazi dhe mbetjesh të tjera në natyrë. Për këtë duhen vlerësuar si specialistët vendas edhe ata të huaj, por edhe uzina që prodhoi pajisjet speciale”, u shpreh për “Shqip” Ferdinand Murati. Drejtori i kompanisë shpjegon se gjatë dy javëve u bënë manovrime të ndryshme dhe u trajnuan specialistë vendas për raste të tilla avarie.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›