E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtari i MPJ-sëkapet për drogë, PS:Meta të japë dorëheqjen

TIRANE- Partia Socialiste i kërkon zv kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Ilir Meta të japë dorëheqjen në shenjë përgjegjësie pas arrestimit të një zyrtari të kësaj ministrie, anëtar i LSI-së, i kërkuar nga drejtësia amerikane për trafik ndërkombëtar droge. PS informon se Almir Rrapo u arrestua të premten e kaluar brenda në ambasadën amerikane teksa aplikonte për vizë.

“I kërkojmë sot Ilir Metës të japë dorëheqjen në shenjë përgjegjësie për këtë incident të rëndë që ka prekur Ministrinë e Jashtme. Ky skandal i turpshëm bëhet edhe më i thellë me reagimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme, sipas të cilit ky individ na paska qenë marrë në punë si sekretar personal i Ministrit brenda të gjitha rregullave dhe me konkurs, kur në fakt nuk ka patur asnjë konkurs. Fakti që ky person është i katërti në listën e të arrestuarve nga radhët e LSI e shton edhe më shumë këtë përgjegjësi.- deklaroi sot paradite nga selia rozë deputeti socialist Taulant Balla.

Sipas deputetit të opozitës arrestimi është shprehja më e qartë e "krizës së qeverisjes dhe e korrupsionit, kontrabandës, trafiqeve, lidhjeve me krimin e organizuar dhe organizatat mafioze", ku sipas PS është zhytur ajo.

Zoti Balla vazhdon më tej se arrestimi është provë se “kriminelët janë të infiltuar në të gjitha nivelet e kësaj qeverie” dhe se “kanë bekimin e DON SALI VICIDOLIT, tashmë pa asnjë dyshim sponsori kryesor i mafieve serbe dhe ruse që i janë vërsulur Shqipërisë.”

Deputeti e cilëson të “turpshëm” edhe reagimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme, e cila sqaroi dje se Almir Rrapo ishte punësuar në bazë të Konkursit, por sipas PS nuk ka pasur asnjë konkurs.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›