Indeksi i Zhvillimit, UNDP: Shqipëria, përfituese e emigracionit
Shqipëria është renditur në vendin e 70-të në Indeksin e Zhvillimit Human të UNDP-së, duke lënë pas vende fqinje si Maqedonia dhe Bosnja, por edhe superfuqi si Rusia dhe Kina
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Shqipëri prezantuan dje Raportin e PNUD-it mbi Zhvillimin Njerëzor me pjesëmarrjen e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Raporti thekson përfitimet dhe barrierat e migracionit në nivel global dhe e rendit Shqipërinë në vendin e 70-të, midis 182 vendeve, në Indeksin e Zhvillimit Njerëzor (HDI), një tregues përmbledhës i mirëqenies, arsimimit të njerëzve dhe i GDP-së për frymë. Sipas raportit të sivjetshëm të Zhvillimit Njerëzor “Kapërcimi i barrierave: Lëvizshmëria dhe zhvillimi njerëzor”, migrimi është një proçes që duhet menaxhuar, jo një problem që duhet zgjidhur. ”Migracioni – si jashtë edhe brenda kufijve kombëtarë – ka potencialin ta përmirësojë shumë mirëqenien njerëzore. Raporti i Zhvillimit Njerëzor i vitit 2009 eksploron se si politika më të mira drejt lëvizshmërisë së njerëzve mund të rrisin zhvillimin njerëzor – duke shtuar përfitimet e migracionit, duke mbështetur dëshirën e njerëzve për të lëvizur në kërkim të një jete më të mirë dhe duke minimizuar aspektet negative”, - theksoi Gulden Turkoz-Cosslett, Përfaqësuese e Përhershme e PNUD-it dhe Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.
“Ne jetojmë në një botë shumë të lëvizshme ku migracioni është një dimension i rëndësishëm i zhvillimit njerëzor”, - tha Nicoletta Giordano, shefe e Misionit të IOM në Shqipëri. Rreth një miliard ose një në shtatë persona janë migrantë. Në rastin e Shqipërisë, një e treta e popullsisë jeton jashtë vendit.
Raporti i Zhvillimit Njerëzor argumenton se në mënyrë që migracioni të luajë një rol pozitiv në zhvillim, konceptimet e gabuar mbi migracionin duhet të qartësohen dhe vendet duhet të marrin në konsideratë efektet pozitive të migracionit në kombinim me politikat sociale dhe ekonomike.
Paketa e reformave të propozuara nga raporti mbështetet në gjashtë shtyllave kryesore duke nisur nga hendeqet ekzistuese për më shumë punëtorë, veçanërisht për ata me nivel të ulët profesional, e deri tek shtimi i migracionit si një komponent i strategjive zhvillimore të vendeve të origjinës.
Disa vende i kanë lidhur me sukses politikat e migracionit me strategjitë e tyre për reduktimin e varfërisë. Ndërsa vende të tjera, sikurse Shqipëria, inkurajojnë kontributin pozitiv të diasporës për zhvillimin e vendit të tyre dhe e pranojnë rolin e rëndësishëm të dërgimit të parave.
Këtë vit Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (HDI) është përllogaritur për 182 shtete dhe territore, mbulimi më i gjerë që është bërë ndonjëherë. HDI u referohet të dhënave të vitit 2007, thekson hendeqet e mëdha që ekzistojnë në mirëqenien dhe mundësitë në jetë, të cilat vazhdojnë të ndajnë botën tonë e cila po ndërlidhet gjithnjë e më shumë. Indeksi i Zhvillimit Njerëzor për Shqipërinë është 0.818.