E Shtunë, 31 Tetor 2026

Indeksi i kujdesit shëndetësor, Shqipëria, e 30-a mes 33 vendeve evropiane



Shqipëria renditet e 30-a mes 33 vendeve evropiane për sa u përket standardeve të kujdesit shëndetësor. Të dhënat kanë dalë nga studimi i bërë nga qendra Health Consumer Powerhouse, në Bruksel, ku vendi ynë përfshihet për herë të parë në indeksin vjetor. Studimi është përgatitur me mbështetjen e qeverisë suedeze, vendi i së cilës ka presidencën e BE-së dhe Komisioni Evropian. Shqipëria ka marrë 542 pikë nga 1000 që është maksimalja dhe sipas studimit, përgjithësisht ka një performancë më të mirë sesa disa vende fqinje në sektorin e shëndetësisë. Sipas drejtorit të EHC Index, dr. Arne Björnberg, Shqipëria ka mangësi të shumta financiare dhe rezultatet mjekësore nuk janë thuajse në standardet e BE-së.

Në vendin e parë, për të dytin vit radhazi është Holanda, që ka marrë 875 pikë; më pas vjen Danimarka me 819 pikë, të pasuara nga Islanda (811 pikë) dhe Austria me 795 pikë.

EHCI përgatit matjen e standardeve për kujdesin shëndetësor në vendet e evropiane. Në indeksin e përvitshëm deri më tani janë 33 shtete dhe merren në shqyrtim 38 indikatorë, që mbulojnë 6 fusha; të drejtat dhe informimi i pacientëve, e-Shëndeti, koha e pritjes për trajtim, rezultatet, e trajtimit etj.

Historia 12

Protestë te “Çajupi”, denoncohen organizatorët

Lëvizja “Rini aktive” është denoncuar dje nga drejtoresha e shkollës së mesme “A. Z. Çajupi” në kryeqytet, pasi është cilësuar prej saj si nxitëse dhe organizatore e rebelimit të nxënësve të kësaj shkolle.

Ndërkaq, burime policore bëjnë me dijeni për agjencinë e lajmeve NOA se nxënësit e përfshirë në protestë po merren në pyetje për të sqaruar rrethanat e saj.

E organizuar për të kundërshtuar tekstin e ri të “Historisë 12”, protesta mblodhi mjaft nxënës, të cilët nën presionin e bojkotimit të mësimit, kanë ngritur zërin dhe kanë protestuar ndaj ndryshimeve të reja të këtij teksti.

E ndërsa drejtuesit e shkollës ushtruan presion që nxënësit të futeshin patjetër në mësim, ata janë takuar edhe nga deputeti socialist, Ilir Gjoni, i cili ka qenë në anën e nxënësve gjatë protestës.

Sipas tij, denoncimi i drejtuesve të kësaj shkolle ndaj lëvizjes “Rini aktive” përbën një turp për trupën arsimore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›