E Diel, 1 Nëntor 2026

Indeksi i ndjeshmerise ndaj rreziqeve te Eurozones

Sa dhe si do të ndikojë kriza e borxheve të Eurozonës në vendet e tjera të Europës, kryesisht në atë juglindore? Agjencia e vlerësimit të kreditit S&P ka krijuar një indeks të ri që mat ndjeshmërinë relative të vendeve në zhvillim ndaj rënies së hyrjeve kapitale. Nga 19 vende të marra në studim ku përfshihet edhe Shqipëria janë vlerësuar masa e prekshmërisë nga goditjet e Eurozonës. Rezultatet aktuale sipas S&P sugjerojnë se ky indeks tregon se janë bërë progrese të paktën në frenimin e deficiteve të larta të llogarive korrente, me përjashtim të Turqisë dhe Ukrahinës. Rreziku qëndron sipas agjencisë se pavarësisht  balancimit të arritur deri tani lëkundjet e vazhdueshme të sistemit financiar në Eurozonë mund të shkaktojnë dalje të kapitalit destabilizues nga shumë ekonomi në zhvillim të Europës duke dhënë efekte negative mbi rritjen dhe financat publike. Raporti shpjegon se si është ndërtuar indeksi i ndjeshmërisë europiane dhe përcakton rezultatet për secilin nga 19 vendet e marra në studim. Sipas S&P, Turqia është një nga vendet më të prekshme nga daljet e papritura të llogarive financiare dhe rreziqet e jashtme të rifinancimit. Indeksi i ndikimit është më i larti se të gjithë vendet e tjera te anketuara, në 2,94 pikë. Efekti më i dukshëm i bumit të kredive të Turqisë gjendet përballë një zgjerimi të shpejtë të deficiteve të larta te llogarive korrente shumëvjecare në nivelin e 10% të PBB. Gjithashtu ky përkeqësim është nxitur edhe nga çmimi i lartë i naftës. Vendi tjetër më i rrezikuar sipas S&P është Hungaria në vendin e dytë pas Turqisë me indeksin në 2,09 pikë, që do të thotë se është më e pambrojtura nga goditjet e mundshme të Eurozonës. Ajo rrezikohet më shumë nga borxhi i saj i jashtëm se sa nga llogaritë rrjedhëse të jashtme.
Nga studimi i agjencisë së S&P rezulton se vendet si Rusia, Kazakistani dhe Azerbajxhani  janë më pak të ndjeshme nga efektet e krizës së Eurozonës. Më tej raporti i S&P tregon se të njohura që nga fillimi i krizës financiare në vitin 2009, shumë nga vendet e anketuara të Europës Juglindore kanë bërë përparime të mira në ribalancimin dhe reduktimin e rreziqeve financiare. Pikërisht, thuhet ne raport, ekonomia e Shqipërisë, Ukrahinës, Rumanisë, Serbisë, Maqedonisë, Lituanisë dhe Letonisë janë më të hapura se kurrë më parë, kjo e matur nga niveli i eksporteve në raport me PBB. Agjencia amerikane vlerëson se vendet në zhvillim të Europës mund të ndikohen nga efektet e Eurozonës vetëm përsa i përket kërkesës për eksportet e tyre e cila do të varet nga vendet anëtare të saj, ndërkohë që sitemi financiar rezulton i rregulluar në mënyrën e duhur ndaj rreziqeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›