E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderët, 4217 firma për 510 milionë USD

Raporti vjetor i APP

Agjencia e Prokurimeve: U kursyen 130 milionë USD. Gjithsej u bënë 5930 procedura konkurrimi.

Raporti: Rreth 30% e punëve, pa konkurrencë, me negocim direkt.

Gjatë vitit të kaluar janë lidhur gjithsej 5930 kontrata me operatorë ekono-mikë, të cilët kanë marrë pjesë në tenderët e publikuar nga Agjencia e Prokurimit Publik. Nga ana tjetër, janë lidhur edhe kontrata pa konkurrim, por vetëm me negocim direkt. Raporti vjetor i vitit 2011 i Agjencisë së Prokurimit Publik, jep edhe detajet lidhur me zhvillimin në këtë fushë përgjatë vitit të kaluar. Në total, në buletinet e APP, gjatë vitit 2011, janë publikuar 4835 procedura elektronike. Nga këto, vetëm 4217 prej tyre janë fituar nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës, të cilët kanë lidhur marrëveshje me një kosto totale prej 510 milionë dollarësh. Fondi limit për gjithë këto procedura në total ishte i parashikuar 639 milionë dollarë dhe përmes zhvillimit të tenderëve janë kursyer 130 milionë dollarë. Mjaft shërbime apo zbatime projektesh janë marrë nga autoritetet kontraktore përmes procedurës së negocimit direkt. Numri total i procedurave të fituara me negocim dhe pa shpallje është 1713. Këta operatorë kanë marrë të drejtën e zbatimit kundrejt fondit 59 milionë dollarë. Fondi limit për këtë kategori procedure ishte 60 milionë dollarë dhe është bërë i mundur kursimi i vetëm 1 milion dollarëve. Agjencia e Prokurimit Publik llogarit se në përqindje të totalit të procedurave, pjesa e atyre me negocim direkt është gati 30 për qind, kurse në vlerën monetare të totalit është vetëm 8.7 për qind.
Gjobat
Agjencia e Prokurimit Publik vëren se gjatë vitit 2011 ka pasur edhe një sërë rastesh në të cilat janë marrë masa disiplinore apo edhe gjoba për autoritetet kontraktore. Në 40 praktika janë dënuar me gjobë në vlerë nga 50-100 mijë lekë, Titullarët e Autoriteteve Kontraktore, anëtarët e Njësisë së Prokurimit dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Në 3 praktika u është tërhequr vëmendje Titullarëve të Autoriteteve Kontraktore, anëtarëve të Njësisë së Prokurimit dhe anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, thuhet në raportin vjetor të APP-së. Po kështu ka pasur edhe 27 raste kur janë marrë masa administrative për të njëjtat palë të mësipërme.  Në fakt, nuk kanë qenë vetëm individët e institucioneve ata që janë ndëshkuar, sepse edhe për operatorët ekonomikë që kanë shkelur rregullat që përcakton ligji, janë marrë masa. Referuar raportit gjatë vitit 2011, janë marrë në shqyrtim 32 propozime për përjashtimin e operatorëve ekono-mikë, nga të cilat, në përfundim të procedimit administrativ, 13  (trembëdhjetë) operatorë ekono-mikë janë përjashtuar nga e drejta për të marrë pjesë në prokurime. Po kështu, nga APP sillet në vëmendje edhe rasti i 12 operatorëve ekonomikë që kishin dokumentacion të pamjaftueshëm, dhe për këtë autoritetit kontraktor i është kërkuar që të plotësohet ky dokumentacion.

Tenderët përgjysmë
Gjatë vitit 2011 rezultojnë të jenë 1495 procedura tenderimi të papërfunduara apo të anuluara. Fondi limit për këto procedura ishte parashikuar në masën 83 milionë dollarë. Në korrik të vitit të kaluar qeveria nxori një urdhër, i cili përcaktonte se për të gjitha ato procedura që nuk ishin lidhur kontratat, të bëhej anulim i tyre, dhe kjo në kuadër të uljes së shpenzimeve në buxhet. Për çdo nevojë, institucionet duhet të bënin kërkesë pranë ministrit të Financave.

APP për vitin 2011
Nr. total i procedurave të publikuara elektronike               4835

Fondi total limit i proc. të publikuara                 620 milionë USD

Nr. total i proc. të fituara elektronike                             4217

Fondi total limit i procedurave elektronike                  639 milionë UDS

Fondi total i prokuruar i procedurave elektronike              510 milionë USD

Nr. total i proc. të fituara negoc. pa shpallje              1,713

Fondi total limit i prokuruar negoc. pa shpallje              60 milionë USD

Fondi total i ofruar negoc. pa shpallje                  59 milionë USD

Përqindja që zë nr. i proc. të fituara negocim me shpallje
ndaj nr. total të procedurave të fituara në total
(elektronik+negocim pa shpallje)                                                                    28.9 %

Përqindja që zë fondi limit i proc. me negoc. pa shpallje
ndaj fondit limit total  (elektronik + negocim pa shpallje)
për procedurat e fituara                                                           8.7 %

Përqindja qe zë fondi i ofruar  proc. me negoc. pa
shpallje ndaj fondit total  (elektronik + negocim pa shpallje)
për procedurat e fituara                                                          10.4 %

Nr. total i proc. të fituara (elektronik + negocim
pa shpallje)                                                                         5,930

Fondi total limit i prokuruar (elektronik + negocim
pa shpallje)                                                                     700 milionë USD

Fondi total i ofruar (elektronik + negocim pa shpallje)                   570 milionë USD

Përqindja që zë Fondi i ofruar ndaj Fondit limit të prokuruar         81.4 %

Fondi total i kursyer                                                     130 milionë USD

Përqindja që zë Fondi i kursyer ndaj Fondit limit te prokuruar         18.6 %

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›