E Shtunë, 31 Tetor 2026

Indeksimi i pagave, rrezikon pensionistët e rinj

 

FABIOLA ÇELA

Personat e dalë në pension që nga viti 2007 e më tej do të kenë një pension më të ulët se personat që kanë të dalë në pension disa vite më parë. Kjo edhe pse për vite me radhë ata mund të kenë kryer një punë të njëjtë apo të jenë paguar në mënyrë të njëjtë. Kjo si pasojë e koeficientëve të rinj që ka miratuar qeveria për indeksimin e pagave. Kështu është shprehur në një intervistë të dhënë për gazetën "Panorama", ish-kreu ISSH-së Ilir Beqja. Sipas tij, situata mund të përkeqësohet edhe më tej nëse qeveria do të vazhdojë me planet e saj për të ulur përsëri përqindjen e kontributeve që nga 1 maj 2009. Kjo pasi, sipas tij, ekziston rreziku që edhe koeficientët e vitit 2008 dhe 2009 të jenë më ulët se normalisht. Kjo do të sjellë rivlerësim më të ulët të pagave në vite.
Qeveria sapo ka miratuar koeficentët e rinj të indeksimit të pagave. A mund të na shpjegoni se për çfarë shërbejnë këta koeficientë?
Së pari, më lejoni t'ju falënderoj për intervistën, duke më dhënë mundësinë të komunikoj me publikun për një çështje shumë të rëndësishme, siç është pensioni dhe, konkretisht, mënyra e llogaritjes së tij në momentin e daljes në pension. Në të vërtetë, për çështje të pensioneve kemi një marrëdhënie konstante që prej krijimit të gazetës suaj, që në kohën që unë punoja në ISSH. Le të kthehemi te koeficientët. Këta koeficientë ndihmojnë në llogaritjen fillestare të pensionit dhe konkretisht shërbejnë për të rivlerësuar kontributet e paguara në vite. Nëse do të shihni tabelën, koeficientët fillojnë nga viti 1994, pikërisht sepse atë vit filluan të paguhen për herë të parë kontribute të detyrueshme për pension sipas përcaktimeve juridike të ligjit 7703, datë 11.05.1993. Koeficienti në vetvete përbën raportin e kontributit mesatar, të paguar nga të gjithë kontribuesit në një vit të caktuar ndaj të njëjtit kontribut mesatar, por të një viti më parë. Thënë ndryshe, nëse koeficienti i vitit 2006 është përcaktuar 1.04, kjo do të thotë kontributi mesatar i '07 ndaj atij të '06 është 1.04, thënë në gjuhë akoma më të drejtpërdrejtë kontributet mesatare të paguara nga një kontribues në vitin 2007 janë 4 % më të larta se ato të vitit 2006.
E thënë më thjesht, çfarë do të thotë ky koeficient për një person që del në pension?
Në gjuhë më të kuptueshme do të thotë që në momentin që llogaritet pensioni gjatë vitit 2008, paga që një person ka pasur në vitin 2006 rritet me 104 %. Për të shmangur ndonjë konfuzion, duhet qartësuar që koeficientët caktohen çdo vit, por gjatë zbatimit të tyre ata shumëzohen me njëri-tjetrin. Kështu, sipas koeficientëve, paga e vitit 2005 rritet me 106 % (106.08 % saktësisht), paga e vitit 2001 rritet me 162.4 %, ndërsa ajo e vitit 1996 rritet me 264 %. Mund të jetë me interes për lexuesit rritja për çdo vit, prandaj le të japim me një tabelë koeficientët e gjithë viteve. (Tab 1)
Kjo mund të ndihmojë çdo kënd që ka dalë në pension në vitin 2008 për të kuptuar se si i është rivlerësuar paga e viteve të mëparshme gjatë llogaritjes së pensionit. Pra, nëse një person ka patur në vitin 1994 një pagë 4,800 lekë në muaj, në llogaritjen fillestare të pensionit në vitin 2008, kjo pagë vlerësohet 22,300 lekë.
Ju flisni për pensionet e lidhura në vitin 2008, kur jemi në fund të vitit. Vetëm ata që dalin në pension këto dy javë efektohen nga ky vendim?
Vendimi është marrë në datën 17 dhjetor dhe në të përcaktohet se i shtrin efektet nga data 1 janar 2008. Kjo do të thotë që të gjithë pensionet me datë fillimi që nga 1 janar 2008 duhet të rillogariten në bazë të koeficientit të ri të vitit 2006. Pra, administrata e ISSH duhet të rillogarisë çdo pension. Duhet sqaruar se vendimi nuk mund të dalë që në datën 1 janar të çdo viti. Kjo sepse për të përcaktuar kontributin mesatar të një viti duhet që të hartohet dhe miratohet bilanci financiar i ISSH. Ky është një proces që, nëse nuk kanë ndryshuar rregullat këta dy vjetët e fundit, duhet të përfundojë brenda muajit prill të çdo viti. Kjo është arsyeja pse po të kthehemi pas në vite, rezulton se vendimet janë marrë në periudhën maj - qershor. Kjo provohet me tabelën në vijim (kërkoj ndjesë që munda të gjej të dhëna vetëm prej vitit 2000 dhe jo më parë) (Tab 2)
Bie në sy që në dy vitet e fundit vendimet janë marrë në nëntor dhe dhjetor. Meqë qeveria në këto dy vite buxhetin faktik të vitit paraadhës e ka miratuar në javën e parë të muajit korrik, më bën të mendoj që bilanci financiar i ISSH ka qenë i miratuar që në atë kohë. Vonesa për 5-6 muaj në nxjerrjen e vendimeve në dy vitet e fundit për mua është neglizhencë dhe papërgjegjshmëri totale e qeverisë.
Vihet re një tendencë në ulje e koeficentëve në vitet e fundit. Çfarë mund të sjellë kjo gjë?
Nga një vështrim i shpejtë konstatohet se çdo vit koeficienti ka qenë më i madh se 1. Pra, çdo vit kontributi mesatar ka qenë më i madh se një vit më parë. Është e vërtetë që koeficientët në dy vitet e fundit janë 1.02 dhe 1.04. Ndjeshëm më të ulët se në vitet e mëparshme. Madje asnjë koeficient nuk ka qenë më parë kaq i vogël. Arsyeja është e thjeshtë. Nëse kthehemi pas në kohë, kujtojmë se që prej 1 shtator 2006, përqindja e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore është ulur nga 38.5 në 29.5. Për këtë arsye në periudhën tetor - dhjetor 2006 kontributet e paguara nga kontribuesit janë në vlerë absolute më të vogla se më parë. Kjo ka tkurrur edhe rritjen e kontributeve nga rritja ekonomike e vendit, efektet e inflacionit në rritjen e pagave apo rritjen e performancës së administratave përgjegjëse për mbledhjen e kontributeve. Kontributet e paguara në ¼ e vitit 2006 janë llogaritur me një përqindje më të ulët se përqindja e zbatuar në gjithë vitin 2005. E gjithë kjo sjell një koeficient të ulët, që nga ana e tij sjell që pagat e marra në vitin 2005 të rivlerësohen për efekt të llogaritjes fillestare të pensionit edhe më pak se inflacioni i atij viti. E njëjta gjë ndodh edhe në vitin 2007. Kontributet e paguara gjatë këtij viti janë llogaritur me një përqindje të caktuar, ndërkohë që për ¾ e vitit 2006 janë llogaritur me një përqindje më të lartë.   
Ju pyesni çfarë mund të sjellë kjo gjë. Është e thjeshtë. Personat e dalë në pension që nga viti 2007 e më tej do të kenë një pension më të ulët se persona të dalë më parë, por që kanë bërë për vite me radhë një punë të njëjtë apo paguar në mënyrë të njëjtë. Le të shpjegojmë më shkoqur me shembuj të thjeshtë. Qytetari X del në pension në qershor 2006. Pensioni i tij është A + B, ku A është pensioni bazë që caktohet nga qeveria dhe B është shtesa që llogaritet si 1 % e bazës së vlerësueshme për çdo vit pune. Në llogaritjen e bazës së vlerësueshme hyjnë në punë koeficientët që po flasim. Sipas koeficienteve, paga e vitit 1994 rivlerësohet me 4.5 herë, paga e vitit 1995 rivlerësohet 3.4 herë e kështu me radhë deri te paga e vitit 2004 që e rivlerësojmë 1.12 herë. Pas llogaritjeve pensioni le të themi është 7850(A) + 3350(B) = 11,200 lek. Në korrik 2008, si pasojë e rritjeve të pensioneve që bëhen çdo vit, ky pension është bërë 13,582 lekë. Ndërkohë qytetari Y del në pension në prill 2008. Supozojmë që të dy kanë bërë të njëjtën punë në vite dhe kanë patur të njëjtën pagë. Pension i qytetarit Y është A1 + B1, ku A1 dhe B1 janë të ngjashëm me A e B të qytetarit X. Llogarisim bazën e vlerësuar dhe pagën e vitit 1994 e rivlerësojmë me 4.78 herë, pagën e vitit 1995 e rivlerësojmë 3.65 herë e kështu me radhë deri te paga e viti 2006 që rivlerësohet 1.04 herë. Pas llogaritjeve kemi 8650 (A1) + 3364 (B1) = 12,014 lekë. Në korrik 2008 ky pension është bërë 13, 215 lekë. Pra qytetari Y ka një pension 367 lekë më pak se qytetari X. Është vetëm 2.7 % më pak. Mund të duket pak, por nëse do të rriten pensionet me 10 % në 4 vitet e ardhshme, diferenca do të bëhet 537 lekë, më shumë se kompensimi aktual i çmimit të energjisë për pensionistët.
Nëse një dispozitë e tillë do të ishte miratuar, faktori korrigjues për vitin 2005 do të ishte 1.06 dhe koeficienti do të bëhej 1.08. Kjo do të sillte që paga e vitit 1994 të rivlerësohej 5.06 herë dhe jo 4.78 sa ç'vlerësohet aktualisht.
Situata mund të përkeqësohet nëse qeveria do të vazhdojë me planet e saj për të ulur përsëri përqindjen e kontributeve që nga 1 maj 2009. Në bazë të së njëjtës logjikë që përshkruam më sipër, ekziston rreziku që edhe koeficientët e vitit 2008 dhe 2009 të jenë më ulët se normalisht. Kjo do të sjellë rivlerësim më të ulët të pagave në vite.
Në një situatë të tillë, a ekziston ndonjë zgjidhje për këtë çështje?
Unë mendoj se koeficienti është element matematik, por i vënë në një kontekst ekonomik duhet vendosur në të njëjtën bazë. Pra ka kuptim të përdoret koeficienti nëse në dy vite njëri pas tjetrit përqindja e kontributeve është e njëjtë. Nëse përqindja e kontributeve ndryshon, nuk ka më kuptim të përdoret koeficienti. Matematikisht mund të ndodhë që koeficienti të jetë edhe më i vogël se 1. Një zgjidhje mund të jetë korrigjimi i koeficientit me një faktor që përfaqëson eliminimin e efektit të ndryshimit të përqindjes së kontributeve. Duke qenë se koeficienti i indeksimit për vitin 2005 u miratua në 7 nëntor 2007, gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2008 grupi kuvendor socialist propozoi një amendament në ligjin 7703, pikërisht për të rregulluar anomalinë në fjalë. Sipas propozimit në fund të pikës 3 të nenit 59 të ligjit duhej shtuar paragrafi "Ky koeficient nuk mund të jetë më pak se 1. Në se në vitin pararendës % e kontributeve është e ndryshme nga ajo e vitit të fundit kalendarik, Këshilli i Ministrave miraton një faktor korrigjues, i cili, për atë vit, shumëzohet me koeficientin". Por qeveria Berisha me të njëjtën papërgjegjshmëri që trajton çdo propozim që vjen nga opozita, nuk e mori në konsideratë propozimin, duke bërë që paaftësinë e saj për të vlerësuar fenomenet në kompleksitetin e tyre ta vuajnë pensionistët e rinj. Sidoqoftë, Partia Socialiste është e angazhuar që me të ardhur në pushtet në verën e vitit të ardhshëm, të korrigjojë të gjitha këto defekte të krijuara nga keqqeverisja e Berishës.
Por a nuk duhet të ishte ky propozim pjesë e reformës së pensioneve?
Reforma e pensioneve është e gjerë dhe komplekse. Po ashtu është edhe domosdoshmëri. Kaluan 3 vjet e gjysmë që PD është në pushtet, dhe përveç fjalëve nuk kemi parë asgjë. U krijua një grup pune qeveri-opozitë në mars '08 me nxitjen dhe mbështetjen e Bankës Botërore. Papritur, në gusht '08 kryeministri deklaroi në mënyrë të njëanshme që qeveria do të ulë përqindjen e kontributeve. Që nga ky moment ne u tërhoqëm nga grupi i punës, jo sepse jemi apriori kundër ndryshimit të përqindjes së kontributeve, por sepse nuk u prezantua asnjë analizë dhe arsyetim për një propozim të tillë.

Llogaritja

     Tab 1
Viti      Rritja
1994      478%
1995      362%
1996      264%
1997      243%
1998      199%
1999      189%
2000      174%
2001      162%
2002      142%
2003      131%
2004      119%
2005      106%
2006      104%
2007      100%

Tab 2
Viti          Nr VKM           Data  
2008                17.12.2008
2007     731        07.11.2007
2006     400        21.06.2006
2005     374        31.05.2005
2004     357        01.06.2004
2003     295        08.05.2003
2002     258        13.06.2002
2001     360        07.05.2001
2000     159        07.04.2000
1999     …                 …
…     …                 …
1994     …                 …

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›