Basha hap ambasadën shqiptare në Indi
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, zhvilloi një vizitë zyrtare në Indi në datat 17-19 dhjetor 2008, me ftesë të ministrit të Jashtëm të Indisë, Pranab Mukherjee. Gjatë takimit zyrtar që ministri Basha zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Indisë, u diskutuan gjerësisht intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe në fushën politike, ekonomike si dhe bashkëpunimi në organizatat ndërkombëtare. Një ndihmë të madhe për këtë bashkëpunim do të japë edhe Ambasada Shqiptare në Nju Delhi, hapja zyrtare e së cilës u inaugurua nga ministri i Punëve të Jashtme në prani të përfaqësuesve të Qeverisë indiane dhe Trupit Diplomatik të akredituar në Indi. Në këtë kuadër dy ministrat u angazhuan për nënshkrimin brenda një kohe të shpejtë të marrëveshjeve për "Heqjen e taksimit të dyfishtë" dhe "Nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve", të cilat do të mundësojnë zhvillimin e përshpejtuar të marrëdhënieve midis biznesit dhe investitorëve në të dy vendet. Duke e informuar mbi zhvillimet në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj në arenën ndërkombëtare, kryediplomati vuri theksin tek ndikimi pozitiv, që kjo ka pasur për paqen, sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por në të gjithë rajonin. "Në këtë kuadër, Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj si faktor stabiliteti, duke nxitur bashkëpunimin, moderacionin dhe dialogun konstruktiv në funksion të vizionit dhe objektivave të përbashkëta të vendeve të rajonit për integrimin Euroatlantik", tha Basha.