E Diel, 1 Nëntor 2026

Lotito: “Tare, profesionist i madh, me kredibilitet ndërkombëtar”



“Duhet të hapim një cikël të ri”. Kjo është fraza e presidentit të Lacios, Klaudio Lotito. Dhe për këtë bosi bardhekaltër i skuadrës së njohur së Serisë A ka zgjedhur prej muajit gusht të këtij viti të punojë me shqiptarin Igli Tare. Mediat italiane e konsiderojnë si një nga risitë e Lacios përfshirjen në stafin drejtues të ish-sulmuesit lacial dhe ish-kapitenit të përfaqësueses shqiptare. Vetë Lotito, gjatë një interviste të gjatë për gazetën e njohur italiane, “Il Tempo”, ripërsëriti edhe një herë arsyet dhe argumentet për zgjedhjen në këtë post të lartë drejtues, atë të drejtorit Sportiv, të një ish-futbollisti shqiptar dhe jo të një ish-futbollisti italian apo të një kombësie tjetër. “Përse e angazhova Taren? Panorama e drejtorëve Sportivë nuk është në lartësinë e duhur. Igli është një djalë serioz, flet pesë gjuhë dhe mëshiron vlerat e Lacios. E njeh shumë mirë këtë botë dhe ka një kredibilitet ndërkombëtar”, - pohoi presidenti i Lacios, Klaudio Lotito. I pyetur nga “Il Tempo”, se nëse do të ishte më mirë të zgjidhej një lojtar lacial me një kohë më të gjatë në klub, bosi bardhekaltër përgjigjet: “Me Taren kam zgjedhur një person me profesionalizëm të madh. Nuk është e thënë që ish-lojtarët, vetëm sepse kanë bërë disa gola tridhjetë vjet më parë duhet të qëndrojnë me forcë në klub. Kinalja ishte shumë i mirë për të kaluarën, por unë dëshiroj të ndërtoj të ardhmen”. Një nga projektet më të mëdha të Lacios është edhe ndërtimi i një stadiumi tërësisht për të, të cilin Lotito parashikon se duhet të përfundojë në vitin 2012.

Edgar Çani “çimenton” fitoren e Askolit

Sulmuesi shqiptar i Askolit, Edgar Çani, i dhuroi fitoren skuadrës së tij në transfertën e vështirë me Salernitanën, në takimin e vlefshëm për kampionatin italian të Serisë B. Sonsin realizoi nga pika e bardhë në minutën e 11-të për ish-skuadrën e Ervin Skelës, ndërkohë që 11 minuta më pas, në të 22’, Edgar Çani (i huazuar te Askoli nga Palermo) dyfishoi shifrat. Vendasit e Salernitanës shkurtuan diferencën me anë të Xherardit në minutën e 69-të. Për 19-vjeçarin Edgar Çani, i cili më parë ka luajtur edhe me Peskarën në Serinë C1, ky ishte goli i parë me fanellën e Askolit.

* * *

Hacetepe e “tre muskëtierëve” shqiptarë; Lika, Teli e Sukaj, humbi në shtëpi me rezultatin e thellë 3-0 me Kajserispor në kampionatin turk.

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›