Indi-Pakistan, nisin bisedimet e para pas sulmit në Mumbai
India dhe Pakistani kanë rinisur bisedimet pas ndërprerjes së tyre, pas sulmit terrorist të Mumbait. Ministrat e jashtëm të të dyja vendeve janë takuar së bashku në një raund bisedimesh në Nju Delhi. Nga takimi nuk pritet ndonjë zhvillim i madh, por ringjallja e dialogut vlerësohet si sukses jo pak i rëndësishëm në përpjekjet për ç'tensionimin e marrëdhënieve të ngrira mes dy vendeve. Ndërsa India do të flasë para së gjithash për kërcënimin terrorist nga Pakistani, qeveria në Islamabad ka planifikuar një axhendë më të gjerë që të ketë edhe një zgjidhje për problemin e Kashmirit. Rifillimi i bisedimeve erdhi si pasojë e trysnisë së ushtruar nga ndërkombëtarët, veçanërisht SHBA-ja, e cila është e vendosur për një stabilizim të rajonit. Nga sulmi i ndodhur në nëntor të 2008 nga një grup terrorist i dyshuar pakistanez, vdiqën më shumë se 160 njerëz në Mumbai. Këto janë bisedimet formale të para qe pas sulmeve shkatërruese në qytetin indian të Mumbait. Edhe në prag te bisedimeve, dy shtetet shkëmbyen deklarata të përmbledhura mbi çështjen e territorit të Kashmirit. Rojet kufitare indiane kanë deklaruar se janë gjendur në një breshëri të shtënash nga Pakistani ditën e mërkurë, akuzë që është hedhur poshtë nga Islamabadi. Takimi mes shefave të diplomacive të dy vendeve, fokusohet në luftën kundër terrorizmit si dhe situatën në Kashmir, rajon që ka qenë shkak i dy nga tre luftërave mes Indisë dhe Pakistanit.