E Shtunë, 31 Tetor 2026

Indianët, skllavopronarë!

Për dekada me radhë, banorët autoktonë të Amerikës detyruan afrikanët e rrëmbyer që të punojnë për ta. Është kjo një kaptinë e harruar e historisë së SHBA-së. Nga Express më 08 shkurt 2011 në ora 08:09

Kryengritja e skllevërve në mëngjesin e 15 nëntor të vitit 1842, e cila ndodhi në Oklahoma, ishte përgatitur me përpikëri. Nata ishte vetëm tri ditë larg hënës së plotë, kështu që 25 zezakët, të cilët u takuan në Webbers Falls, një qytet në lumin Arkanzas, ishin në gjendje të orientoheshin edhe pa pishtarët, të cilët do të mund t’i zbulonin.

Ata bllokuan nga jashtë shtëpitë dhe kasollet, në të cilat flinin pronarët e tyre, hynë në depo, ku u furnizuan me armë, ushqim dhe municion. Më pas, 25 skllevërit u nisën në drejtim të Perëndimit. Caku i tyre ishte Meksika, rreth 1 mijë kilometra në jug, vend ky i cili një dekadë më herët e kishte shfuqizuar skllavërinë.

Arratisja e organizuar e skllevërve nuk ishte ndonjë ngjarje e izoluar në SHBA-në e asaj kohe. Por, ngjarja në lumin Arkanzas, e cila u shoqërua me një gjueti dhe përleshje të përgjakshme në preri, megjithatë mbetet e pazakonshme.

Zezakët kësaj radhe nuk ishin arratisur nga pronarët e tyre të bardhë, por nga indianët nga radhët e fisit Cherokee. Gjatë arratisë, atyre iu bashkuan edhe dhjetë skllevër tjerë zezakë, të cilët ishin arratisur nga indianët e fisit Creek.

Fakti se zezakët kanë qenë të ndërlidhur në forma të ndryshme me fiset indiane, është një fakt i harruar edhe në SHBA. Në asnjë film Western të Hollywoodit e as në librat e historisë nuk përmenden “indianët e zinj” as si skllevër të indianëve e as si aleatë të tyre.
Por, kemi një varg të fateve individuale dhe këtu nuk bëhet assesi fjalë për raste të izoluara.

Në fazën e parë të vendosjes së evropianëve në Amerikë, ishin indianët ata që u shndërruan në skllevër. Në veçanti në Karaibe, në Haitin e sotëm dhe në Amerikën Jugore e Qendrore, me miliona indianë u detyruan të punojnë nëpër miniera e plantacione , ku shumica prej tyre vdiqën nga sëmundje të ndryshme, pasi që trupat e tyre nuk posedonin qeliza të imunitetit ndaj këtyre sëmundjeve.

Për këtë arsye, evropianët filluan të sjellin skllevër nga Afrika. Për këtë arsye, indianët dhe zezakët shpesh bashkoheshin kundër të bardhëve. Skllevërit e arratisur u bashkoheshin “lëkurëkuqve”, siç i quanin të bardhët banorët autoktonë. Indianët shfrytëzonin zezakët si ndërmjetësues me të bardhët, pasi që nuk e kuptonin gjuhën e të bardhëve.

Shumë kohë para zbarkimit të të bardhëve në Amerikë, indianët gjatë luftërave mes fiseve të ndryshme merrnin si skllevër pjesëtarët e fiseve tjera të mposhtura.

Evropiani i parë, i cili u bë skllav i indianëve, ishte spanjolli Gonzalo Guerrero, i cili ishte kapur nga Majat në brigjet e Meksikës në vitin 1511.

Por Gonzalo arriti të fitojë besimin e pronarëve të tij, u martua me një indiane, u bë shef i luftëtarëve të fisit dhe konsiderohet si i ati i mesticëve në Meksikë, pra melezëve nga martesat e përziera mes banorëve autoktonë dhe evropianëve.

Në territorin e SHBA-së së sotme ishin kryesisht Cherokees, Chickasaws, Choctaws, Creeks dhe Seminolen fiset indiane që blinin skllevër zezakë nga britanikët.

Megjithatë, shumica e zezakëve si duket kanë kaluar më mirë në plantacionet e pronarëve të tyre indianë sesa në ato të të bardhëve.

“Nuk kisha dëshirë që të përfundonte skllavëria”, ka rrëfyer Chaney Richardson, një ish-skllave zezake e indianëve Cherokee, në një intervistë dhënë në vitin 1937.

“Si skllave jam trajtuar mirë. Kur përfundoi skllavëria, nuk kisha më shtëpi timen. Gjatë fëmijërisë time, asnjë skllav zezak nuk është arratisur nga indianët. Kishim për të ngrënë sa të dëshironim”, kishte rrëfyer ajo më tutje.

Në vitin 1860, Cherokeet kishin 2511 skllevër, Choctaws 2344, Creek 1532 dhe Chickasaws 975.

“Skllavëria ishte shndërruar në një faktor të rëndësishëm ekonomik të fiseve indiane”, thotë historiani William Katz.

Njëkohësisht, numri i martesave mes zezakëve dhe indianëve shënoi rritje të vazhdueshme.

Por, megjithatë, kishte edhe raste kur jeta e skllevërve tek indianët nuk ishte dhe gjithaq e këndshme. Për këtë dëshmojnë arratisjet e skllevërve zezakë si ajo e vitit 1842.

(Die Welt)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›