E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premtimet dhe mashtrimet e Edi Ramës

Armond Halebi 

“Rrugë të pashtruara, pellgje erëkëqij, puseta me kapakë gjysmë të hapur, me arsyen që duhet ndërhyrë çdo dy ditë për të shmangur përmbytjen, që do të mbulonte dhe ato pak ishuj toke, të cilat bëjnë të mundur kalimin me kërcim të rrugës; të asaj rruge, që të jep mundësinë të dalësh nga shtëpia vetëm për një arsye që ja vlen të përbaltesh... “Ky përshkrim që na sjell në memorie rrethinat e një “Borgu Mesjetar”, është në fakt përshkrimi i një rruge të Tiranës, jo më shumë se 500 m nga bulevardi kryesor i qytetit, një bllok me pallate të larta të banuar nga afro 4000 banorë, që për ironi të fatit mban emrin “Hawai”, por që nuk ka asgjë të përbashkët me luksin ekzotik, që mbart kuptimi i emrit të tij. Këta qytetarë të Tiranës u vendosën aty, me shpresën se do të banonin në një pallat të ri, në një lagje të re, të ndërtuar rishtas, ka vite që jetojnë në një ambient, që nuk do ta kishin parë as në ëndrrat më të këqija. Banorët e kateve përdhese i tremben çdo shiu, sepse shtëpitë dhe dyqanet e tyre mbushen me ujë deri në gju dhe mobilimi e malli i tyre është gjithmonë nën kërcënimin e lagështirës... Por kjo nuk është e gjitha, me të dalë nga shtëpia “lukunitë” e qenve rrugaçë i bëjnë ata të ndjehen si një “pre” në pritë; jo rrallëherë tufat e qenve kanë sulmuar fëmijët e gratë, duke qenë një kërcënim për jetët e tyre.
Në fushatën për zgjedhjet lokale të shkurtit 2007 bashkë me Z.Rama i premtuam këtyre banorëve, se kjo gjendje do të ndryshonte, se do të bënim kanalizimin, do të bënim trotuaret, do të shtronim rrugën, do të vendosim ndriçimin dhe ata besuan tek ne dhe unë besova tek bashkëpunimi Bashki e Njësi Bashkiake. Me fitimin e zgjedhjeve dhe marrjen e detyrës, fillova ta ndjek  këtë problem, vajta atje bashkë me specialistët e Urbanistikës së Njësisë dhe evidentuam të gjitha problemet dhe bashkë me një projekt të kanalizimeve, të cilin arritëm ta bëjmë me ndihmën e një specialisti dashamirës, dërguam një relacion në Bashki, duke pretenduar akordimin e fondeve për rivlerësimin e këtij blloku. Asgjë nuk u bë. Gjendja e përditshme e emergjencës dhe premtimi i pa mbajtur më kanë shtyrë ta bëj shpesh kërkesën për zgjidhjen e këtij problemi, por ende asgjë. Banorët e këtij blloku, si dhe shumica e banorëve të Njësisë 9 paguan taksat, të ndërgjegjshëm se pa to nuk ka se si bëhen investimet nga ana e Bashkisë, e cila me sa duket ka një tendencë, që nëse është “para” duhet të mblidhet e administrohet patjetër nga ajo. Pagesa e taksës u shtoi shpresat, se do të konkretizohej me investimin në bllokun e tyre, por jo. Përsëri asgjë nuk u bë. Pamundësia e banorëve për të kontaktuar në ndonjë rast tjetër me Ramën dhe për t’ia shprehur ankesën e tyre, i mblodhi ata në numër të madh në takimin për Buxhetin e vitit 2008 dhe u zgjoi një fije shprese. Blloku “Hawai” mori shumicën e votave nga blloqet me përparësi investimi. Por votimi me sa duket ishte show i radhës! Prapë asgjë! Pas përpjekjesh të mëdha dhe me ngritjen e problemit nga grupi i LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës, u akordua një fond prej 15.000.000 lekësh për bërjen e kanalizimeve. Mbas shumë vonesash, ky fond u reduktua në 4.000.000 lek dhe në projekt u vendosën tubacione me seksion, që nuk do të përballonte kapacitetin e shkarkimeve për një sasi kaq të madhe banorësh. Ky fond kaq i vogël solli dhe dështimin e të gjithë tenderëve, që bëri Bashkia e Tiranës për këtë objekt. E bëra këtë kronologji të ngjarjeve, në formën e një retrospektive, për të theksuar faktin, se me gjithë përpjekjet tona të vazhdueshme, angazhimin maksimal të strukturave të Njësisë Bashkiake për verifikimin, evidentimin dhe parashtrimin e problemeve e propozimeve për zgjidhjen e tyre; gjendemi përsëri çdo ditë para një pirgu ankesash, shpesh të përsëritura, të banorëve të cilët me të drejtë ngrenë zërin, për gjendjen mjaft të rënduar të ambientit ku jetojnë. Edhe banorët tanë, do të donin të shihnin, inaugurime rrugësh e kanalizimesh me standarde të pranueshme, si një kërkesë minimale e jetës qytetare. Këta banorë, janë taksapagues të rregullt dhe paguajnë të njëjtat detyrime si dhe banorët e disa njësive të tjera bashkiake, të cilat janë kthyer në “Oaze” të investimeve publike, pikërisht për shkak të një trajtimi preferencial, që u bëhet atyre nga Bashkia e Tiranës!

*Kryetar i Njësisë Bashkiake nr.9

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›