Liljana Kondakçi në kërkim për drogë
Emri i këngëtares Liljana Kondakçi, rikthehet edhe njëherë në qendër të vëmendjes për akuzat e përfshirjes në trafikun e drogës. Një operacion antidrogë i policisë italiane është bërë shkak për rikthimin e vëmendjes tek problemet, që këngëtarja ka me drejtësinë italiane. Ajo është akuzuar dje, si e implikuar në trafikun e drogës mes Shqipërisë dhe Italisë. Sipas autoriteteve italiane, janë disa përgjime telefonike, të cilat tregojnë se këngëtarja shqiptare ishte anëtare në një grup trafiku të drogës. Duke iu referuar agjencisë italiane të lajmeve ANSA.it bëhet e ditur se “Një operacion i “Guardia di Financia”-s në Kalabri (Itali) dhe në rajone të tjera, i koduar me emrin “Shkodrani”, çoi në prangosjen e 24 personave të akuzuar si pjesëtarë në një organizatë, që trafikonte drogë nga Shqipëria dhe destinohej për tregun evropian”. Sipas këtyre burimeve, organizata e trafikut ishte e përbërë nga italianë, shqiptarë dhe rumunë që vepronin në kontakt të ngushtë me komponentë të Ndragetës në vendin fqinj. “Në hetime është përfshirë edhe një këngëtare lirike shqiptare, Liljana Kondakçi, 56 vjeçe, mjaft e njohur në vendin e saj. Kondakçi, e quajtur nga pjesëtarët e tjerë të grupit si “La mamma” (mamaja), apo “La cantante” (këngëtarja), siç ka dalë nga përgjimet, ka përdorur popullaritetin e saj për të shmangur kontrollet policore në Shqipëri”, shkruhej dje në lajmin e publikuar nga agjencia italiane. Mediat e vendit fqinj përmendnin edhe rastin e dy vjetëve më parë, në maj 2006, kur këngëtarja Liljana Kondakçi u ndalua nga policia italiane në stacionin hekurudhor të Sibarit vetëm pak çaste, pasi kishte mbërritur nga Shqipëria. Pas ndalimit nga policia, në automjetin e saj u gjetën 3.3 kilogramë heroinë. Ndërsa për grupin e personave të ndaluar dje, policia italiane bëri të ditur se kryesues i tij ishte italiani Saverio Magliari, 58 vjeç nga Almonte. Sipas prokurorisë italiane, ai kishte ndërtuar një raport ekskluziv me furnizuesit e drogës në Shqipëri, me familjen Smajlaj në qytetin e Shkodrës. Çdo sasi droge që shkonte drejt Italisë, nuk mund të dilte në tregun kalabrez pa kaluar në Cosentino të Almonte, një qendër ku përpunohej dhe organizohej shpërndarja e lëndës narkotike. Me rrjetin e ndërtuar Magliari ishte shndërruar në dominuesin e tregut të narkotikëve në Kalabrinë Veriore. Anëtarët e organizatës së trafikut të drogës të kapur dje nga Guardia di Finanzia përdornin një gjuhë të koduar për të fshehur trafikun e tyre. Kur i referoheshin rrezikut për praninë apo kontrollet e policisë, ata flisnin në telefona mes tyre për Steauanë e Bukureshtit, për skuadrën e futbollit që është tashmë nën pronësinë e ministrit të Brendshëm të qeverisë rumune, ndërsa për sasinë e drogës që do të transportonin bënin referim me numrin e bluzës së mbajtur nga kampioni i futbollit Haxhi (Hagi).
Arrestimi më drogë
Këngëtarja e njohur në skenat shqiptare Liljana Kondakçi, ra në prangat e policisë italiane më 15 maj 2006, për shkak se në makinën me të cilën ajo po udhëtonte u gjetën 3.3 kilogramë heroinë. Në momentin e ndalimit në atë kohë, Kondakçi ishte në makinë, sipas mediave italiane me një shqiptar nga Shkodra të identifikuar nga agjentët si Luan Kubareka. Menjëherë pas zbulimit të drogës së fshehur në makinë, dy personave u janë vënë prangat në qytetin e Katanzaros, ku Liljana Kondakçi po udhëtonte për shkak se ishte ftuar në një koncert, që do të mbahej në një festë të organizuar nga emigrantët shqiptarë atje. Pas arrestimit, Liljana Kondakçi është mbrojtur në polici, duke thënë se ishte një këngëtare e njohur në Shqipëri e ftuar në një koncert në Itali që nuk kishte lidhje me trafiqet. Pak kohë më vonë, gjykata italiane e nxori Kondakçiun nga arresti, ndërsa asaj iu lejua largimi nga Italia dhe kthimi në Shqipëri.
Liljana Kondakçi mohon
akuzat: Jam në Tiranë
TIRANE – “Ky lajm është sqaruar këtu e dy vite më parë dhe nuk e kuptoj, pse del përsëri sepse unë kam dalë si zonjë nga Italia, me të gjithë rregullat dhe procedurat që kanë autoritetet italiane”. Me këto fjalë këngëtarja shqiptare Liljana Kondakçi, ka hedhur poshtë dje lajmin e bërë publik në median italiane, duke thënë se ndodhet në Tiranë dhe nuk e ka lajmëruar askush. Në një intervistë telefonike për “News 24”, Kondakçi tha se prej dy vite e gjysmë ka qëndruar në Shqipëri. “Hetimet nuk ishin 100 për qind tek unë, megjithatë unë ndenja në qendrën sociale në Itali...emrin nuk e mbaj mend. Po rrija për të pritur dokumentet që m’i solli djali. Mora një letër, të cilën unë e kam dhe do ta kem sepse unë do ta ruaj. Dhe unë kisha të drejtën për të dalë nga qendra sociale për të vajtur në shtëpinë time”, ka thënë këngëtarja Kondakçi.
Hetimet për këtë çështje znj. Liljana vazhdonin dhe pse ju ndodheshit në Shqipëri si tani dhe këto hetimet vazhdojnë.
Nuk e di se për çfarë hetimesh është fjala. Sepse unë kam dalë në rregull e pafajshme në të gjitha procedurat, që ka Italia unë kam dalë në rregull dhe nuk kam pasur, pse të mendoj se do të vazhdojnë hetimet. Kam qenë në rregull gjatë gjithë kohës dhe kam dalë jashtë gjatë gjithë kohës.
Kur erdhët në Shqipëri çfarë ju tha pala italiane ?
Asgjë. Vetëm më përshëndetën më dhanë fletën e duhur dhe gjërat që unë duhet të merrja dhe u largova.
Çfarë përmbante kjo fletë ?
Ajo përmbante që gjërat që ata dyshonin ishin sqaruar dhe unë duhet të kthehesha në Shqipëri. Ishte në rregull.
Atëherë pse emri juaj rezulton i implikuar?
Nuk e di atë pse. Kjo po më shqetëson edhe mua. Nuk e di atë letër që kam e kam me vula, me firma, e kam shumë të rregullt dhe kështu që nuk e di. Do ta ndjek këtë punë dhe ta sqaroj deri në fund.
Ju mohoni të jeni e implikuar?
Sigurisht që po, as që bëhet fjalë.
Aksioni “Shkodrani”
Personi i akuzuar Pseudonimi
Liljana Kondakçi , 56 vjeçe, “mama”, “la cantante”
Të arrestuarit:
Bashkim Kubazecaj, 32 vjeç, “Flokëgjati”
Luan Kubazecaj, 35 vjeç, “Ai i Las Vegasit”
Nikolaos Liarakos, 32 vjeç, “Greku” dhe “Nikolas”
Saverio Magliari, 54 vjeç, “Gjyshi”, “Mustaqa”,
Albert Mesiti, 28 vjeç, “Marko”
Elvis Metvelaj, 24 vjeç, “majmuni”, “Nipi”
Gianluca Presta, 30 vjeç, “I shëndoshi”
Fisnik Smajlaj, 35 vjeç, “Tullaci”
Gentian Ulqini, 35 vjeç, “Astrit”
Gentjan Hamzaraj, 30 vjeç
Samir Ujkaj, 33 vjeç
Rodon Rexhepi, 27 vjeç
Luixhi Bloise, 24 vjeç
Domenico Franze, 46 vjeç
Roço Napoli, 42 vjeç
Pasquale Santagada, 56 vjeç
Piergiorgio Siciliano, 26 vjeç
Salvatore Vitale, 22 vjeç
Vincenzo Cosentino, 31 vjeç
Këngëtarja nuk gjendet në shtëpi, fqinjët: Është tek banesa e nënës
TIRANE – Këngëtarja e njohur Liljana Kondakçi, nuk ndodhej në shtëpi dje pas publikimit të lajmit, se për të policia dhe prokuroria italiane kishte nxjerrë një urdhër arresti të miratuar nga një gjykatë lokale. Sipas të dhënave zyrtare, këngëtarja e njohur banon në rrugën “Sulejman Pasha”, në katin e pestë të pallatit 3/1, prej shumë vitesh. Pavarësisht insistimit të gazetës “Panorama”, për të kontaktuar me zërin e njohur të muzikës së lehtë shqiptare të viteve ’80, ajo nuk ndodhej në shtëpi. Po kështu as i biri, Albi apo bashkëshortja e tij nuk ndodheshin aty. Një grua rreth të 55-vjeçe, fqinje me Kondakçiun, pohoi dje për gazetën, se me kohë nuk e kishte parë në shtëpi këngëtaren. “Kam shumë kohë që nuk e kam parë Liljanën këtu. Gjatë këtyre ditëve mund të them se nuk e ka parë askush”, - tregon ajo. Më tej gruaja shton, se Liljana nuk banon rregullisht në shtëpinë e saj, që ndodhet në qendër të kryeqytetit. “Ajo vjen dhe qëndron shumë rrallë këtu. Fle ndonjëherë në shtëpi këtu, por më tepër qëndron nga e ëma, pohon ajo. Fqinja që duket se nuk ka dëshirë të flasë gjatë për këtë çështje, thotë se më së shumti aty banon djali i këngëtares, Albi bashkë me të shoqen. Një fqinje tjetër, që banon faqe ngjitur me Kondakçiun disi e acaruar pyet: Pse e ngisni Lilin! Më tej ajo tregon se fqinja e saj me të rrallë vjen të kalojë ndonjë natë në shtëpinë, që tashmë i përket të birit. “Këtë javë nuk e kam vënë re fare dhe besoj se duhet të ketë qëndruar tek nëna e saj”,- shton fqinja që flet me dashamirësi për këngëtaren e muzikës së lehtë. Sipas saj edhe i biri, pronar i një palestre në kryeqytet, vjen vonë në shtëpi, pasi është i angazhuar thuajse gjatë gjithë ditës në palestrën e tij dhe ka fare pak kohë të qëndrojë në banesë.