E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si shpjegohet arroganca e zotit Alibeaj?

Maklen Misha 

Në këto 18 vjet tranzicion  politikanët shqiptarë na kanë dhënë arsye të mjaftueshme për t’u irrituar e brengosur, për t’i sharë e mallkuar e përgjithësisht për të humbur respektin për një pjesë të madhe syresh. Shkaqet për këtë situatë janë të shumta, por një ndër kryesoret ka mundësi të jetë mënyra e tyre e komunikimit me kundërshtarin e publikun, duke shpërfillur krejtësisht çdo normë e rregull të asaj, që duhet të jetë etika e komunikimit në një shtet demokratik. Natyrisht mund të sillen këtu shumë shembuj nga të gjitha kahet e politikës shqiptare. Por nëse ka sot një politikan, që më shumë se kushdo ka fituar antipatinë, jo vetëm të opozitës apo të opinionit publik, por me ç’thuhet, edhe të një pjese të vetë maxhorancës, ky nder padyshim i përket zotit Enkelejd Alibeaj.
Natyrisht, po të kemi parasysh konkurrencën e fortë, me të cilën duhet të përballet ministri aktual i drejtësisë për të fituar të drejtën të kryesojë listën e politikanëve arrogantë, fodullë, gricës e irritues, një pohim i tillë mund të duket pak i sforcuar. Mjafton të përmendim këtu kryeministrin, kryetaren e Kuvendit apo zëdhënësin e PD-së, për të përmendur vetëm tre ndër përfaqësuesit më të spikatur të këtij fenomeni, të cilët kanë dhënë shembuj të panumërt sjelljesh, që as që do të mund të imagjinoheshin në një vend demokratik. Por ama ekzistojnë disa dallime të rëndësishme mes ministrit Alibeaj dhe shembujve të mësipërm, që e bëjnë sjelljen e tij mjaft më të papranueshme.
Së pari, siç e di tashmë i madh e i vogël, kualifikimet që kërkohen për t’u bërë zëdhënës i PD-së janë krejt të ndryshme nga ato që priten nga një ministër. Një zëdhënës mund t’i lejojë vetes të shkelë me këmbë dinjitetin e tij, duke lexuar gjithfarë deklaratash absurde e provokuese, se në fund të fundit ndonëse mund të bëhet qesharak në sytë e botës, s’është veçse një copë zëdhënës. Por, ndonëse zoti Alibeaj me ç’duket ende nuk e ka kuptuar, karakteristika të tilla thjesht nuk mund të të bëjnë ministër të suksesshëm, sidomos kur bëhet fjalë për një post aq të rëndësishëm sa ai i ministrit të Drejtësisë.   
Por edhe nëse do të hamendësonim për një çast se zoti Alibeaj në sjelljet e tij, s’është frymëzuar nga shembulli i zëdhënësit, por thjesht sa po imiton të mëdhenjtë e partisë së tij, prapë situata mbetet e papranueshme. Në fund të fundit zoti Berisha apo zonja Topalli, sado që japin shpesh shfaqje të papranueshme agresiviteti e arrogance, janë dy politikanë, të cilët gëzojnë legjitimitetin e votës popullore. Po Alibeaj?! Përse dreqin mund të mendojë një askush i katapultuar në postin e ministrit falë një koniunkture të momentit, se ka të drejtën të shohë nga lart poshtë kë t’i dojë qejfi? Shpjegimi më i thjeshtë që të vjen ndër mend është se zotit Alibeaj i ka rënë në kokë pushteti. Natyrisht, nëse përjashtohet këtu mundësia që zoti Alibeaj të jetë për nga natyra arrogant, fodull, sherrxhi e me mendim të ekzaltuar për veten.  
Cilado qoftë e vërteta mbetet shqetësues fakti që sot në Shqipëri, në një moment kaq delikat për sistemin e drejtësisë, posti i ministrit zihet nga një njeri që, përveçse përflitet për konflikt interesi me drejtësinë, nuk ka dëshirën e vullnetin të gjenerojë dialogun, konsultimet, konsensusin e kompromiset e vështira, që nevojiten për një reformë demokratike. Jo vetëm kaq por zoti Alibeaj ka dhënë tashmë prova se atij jo vetëm nuk i interesojnë dialogu e konsultimet, por as nuk e kupton se ç’duan të thonë këto koncepte. Se ndoshta gabohem, por të konsultohesh e të bësh kompromis, zakonisht nuk presupozon thjesht të diktosh, por edhe të dëgjosh e të marrësh parasysh ç’thonë kundërshtarët! Ndoshta gabohem, por kur të gjithë aktorët e interesuar, qofshin këta shqiptarë apo ndërkombëtarë të thonë se qëndrimi që po mban është i papranueshëm, qenia ministër nuk të jep aspak të drejtën t’u përgjigjesh si ndonjë çunak i përkëdhelur se “topi është i imi e penalltinë do ta gjuaj vetë”! Dhe as më pak të jep kjo të drejtën të bësh ca deklarata arrogante prej Ahmadinexhadi për sakrifica, që dikush na u dashka të na i mbajë në shpinë.  Këto lloj qëndrimesh do të ishin fare normale në një vend si Irani, por jo në Shqipërinë që pretendon të integrohet në Bashkimin Evropian.
Për të qenë të saktë duhet sqaruar se zoti Alibeaj s’është veçse shembulli më i spikatur i gjendjes, ku janë katandisur shumë nga prurjet e reja brenda PD-së. Ai s’është aspak i vetmi politikan i ri i kësaj force që në vend të përpiqej të sillte një vizion e frymë të re, e pa më të lehtë e të leverdishme t’i përshtatej koncepteve ‘Berisha’ të politikbërjes. Por ajo çfarë i nevojitet vendit sot nuk është as një ministër drejtësie, i cili për hir të egos personale e servilizmit ndaj shefit të madh, s’do të ngurronte të amendonte edhe vetë shkrimet e shenjta; as një ministër që i ka kthyer konfliktualitetin e arrogancën në tiparet dalluese të komunikimit politik dhe as një ministër që e kërkon sherrin me qiri. Fatkeqësisht, duke qenë se zoti Alibeaj përmbledh në vetvete të gjitha këto tipare, ndoshta do të duhej të bënte ai vetë një sakrificë të madhe e të jepte dorëheqjen nga një detyrë që me ç’duket nuk e përmbush dot. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›