E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Republika e Maqedonisë së Re”, i vetmi konsensus

Arjan Starova 

Rreth një vit më parë, thuajse askush prej analistëve të çështjeve të sigurisë nuk e kishte menduar se grindja maqedono-greke për emrin e Maqedonisë, mund të kthehej në një problem rajonal të sigurisë siç është sot. Madje, përpjekjet për ta lidhur këtë çështje me sigurinë vështroheshin e mendoheshin si naivitet. Tani gjërat janë ndryshe. Sa më shumë afrohemi drejt mbledhjes së nivelit të lartë në NATO-s në Strasburg-Kiel, aq më shumë lënia e mundshme e Maqedonisë jashtë anëtarësimit në NATO po perceptohet edhe si problem sigurie. Ky problem po shfaqet njëherësh si tumor i marrëdhënieve maqedono-greke, si prishje e planeve afatgjatë të NATO-s për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe ndërkombëtare, si turbullues i klimës së re rajonale të krijuar pas përfundimit të konflikteve të armatosura në territoret e ish-federatës Jugosllave.
Për shumicën e lexuesve apo të opinionit publik shqiptar, që kanë ndjekur zhvillimet e raundeve të grindje-negociatave ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë për emrin e Maqedonisë, ekziston përshtypja, se kjo është një çështje e kotë, ku janë përzierë e përzihen mënyra të vjetra të së menduarit, gjendje psikike të mbizotëruara nga ndjenjat nacionaliste dhe ndoshta copëza planesh të vjetruara gjeopolitike. Dhe ndoshta ky mendim i opinionit publik, por edhe i shumë analistëve të problemeve ndërkombëtare, është më i sakti, sepse emri i Maqedonisë nuk është vendosur rishtazi, por shumë dhjetëvjeçarë më parë, në kohën e Jugosllavisë së Titos dhe askush nuk ka parë apo dëgjuar për ndonjë protestë greke kundër emrit të Republikës së Maqedonisë, kur kjo e fundit, sipas Kushtetutës Jugosllave, e kishte edhe të drejtën e shkëputjes prej Jugosllavisë.
Atëherë, përse Greqia këmbëngul kaq shumë që Maqedonia ta ndryshojë emrin e saj, tani? Përse Greqia e shndërron vetveten në planprishëse të politikës rajonale të NATO-s për sigurinë në Ballkanin Perëndimor? Vallë ka frikë se mos Maqedonia do të kërkojë në të ardhmen territoret e Greqisë Veriore të njohura si Maqedoni? Apo ka frikë se Maqedonia do t’i vjedhë historinë e lidhur ngushtë me Aleksandërin e Maqedonisë së lashtë?
Gjatë këtyre muajve të dendësimit njëherësh të grindjeve dhe përpjekjeve për ta zgjidhur këtë problem të Greqisë me Maqedoninë, spikatin disa të vërteta ndoshta të kundërshtueshme, por të pamohueshme.
Ja këto të vërteta: çdo shtet është i pavarur e sovran në përcaktimin e emrit të vet, Greqia dhe Maqedonia e sotme nuk janë pasardhëse të Maqedonisë së lashtë, Aleksandri i Madh nuk ka qenë as grek, as paraardhës i maqedonasve të sotëm, Greqia e Maqedonia nuk janë të gatshëm të luftojnë për çështjen e grindjes për emrin, emri i shtetit të Maqedonisë nuk mund të jetë problem për emrin e një krahine në Greqi me të njëjtin emër, kur dihet se popullsitë e tyre janë krejt të ndryshme, çështja e emrit të Maqedonisë nuk mund të vihet si kusht për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, sepse këto dy çështje janë krejt asimetrike për nga rëndësia, maqedonasit e sotëm nuk duhet të këmbëngulin aq fort në emrin e saj, sepse atje jetojnë rreth 30 për qind shqiptarë, por edhe pakica të tjera etnike, shqiptarët kanë përgjegjësi për pasivitetin e tyre në lidhje me çështjen e emrit të Maqedonisë.
Këto të vërteta të shtyjnë të mendosh se e vetmja zgjidhje për grindjen për emrin është arritja e një konsensusi për emrin “Republika e Maqedonisë së Re”. Ky emër mishëron njëherësh edhe dallimin e Maqedonisë së sotme nga krahina greke me emrin Maqedoni edhe realitetin e sotëm shumetnik të Maqedonisë. Për këtë arsye ndoshta propozimi i fundit i emrit “Maqedonia e Sipërme” nuk mund të pranohej, sepse ndërmjet të tjerave ai nënkuptonte drejtpërdrejt një Maqedoni të poshtme në Greqi.    
Në këtë këndvështrim, elita politike e kulturore e shqiptarëve të Maqedonisë nuk mund të rrijë më indiferente ndaj çështjes së emrit në grindjen me grekët. Pasi e harxhoi për shumë vite me radhë fisnikërinë e sjelljes së saj, duke mos u përzier në një çështje që në të vërtetë i përkiste, tani ajo duhet të këmbëngulë të thotë fjalën e vet, sepse Maqedonia nuk është vetëm e maqedonasve. Politikanëve shqiptarë u përket të ushtrojnë një trysni pozitive mbi kolegët e tyre maqedonas dhe në bisedimet me ndërmjetësin amerikan Nimiç, sepse e ardhmja e përbashkët euroatlantike e shqiptarëve dhe maqedonasve nuk duhet të mbahet peng nga kapriciot politike të vetëm politikanëve maqedonas.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›