Indonezianët admirojnë eklipsit e diellit
Indonezianët kanë pasur fatin të ndjekin për pak caste një fenomen të rrallë natyror, atë të eklipsit të diellit. Ata kanë qenë dëshmitarë të një momenti, kur hëna ka dalë përpara diellit, duke krijuar një lloj unazë diellore. Vëzhgues të shumtë u mblodhën në universitetin lokal të Lampungut në ishullin e Sumatrës, nga të gjitha anët e arkipelagut të madh, për të parë spektaklin, kur hëna kaloi përballë diellit, pa e mbuluar tërësisht atë. Eklipsi bëri që dielli të dukej si një unazë e zjarrtë që rrethonte skajet e hënës. Ferri Simatupang, një vëzhgues eklipsesh, u shpreh se fenomeni ishte shumë i vecantë, pasi dielli konturohej në qiell. "Eklipsi i plotë i diellit është atëherë kur hëna e mbulon tërësisht atë. Por ky lloj eklipsi është i vecantë, pasi hëna nuk e mbulon të gjithin yllin tonë, por krijohet një unazë e shndritshmë në qiell", tha Simatupang. Provinca e Lampungut, në pjesën jugore të ishullit të Sumatrës, u kthye në arenën e admirimit të spektaklit të rrallë. "Unë kam sjellë djalin tim për të parë eklipsin, pasi nuk është një fenomen që ndodh përditë, kështu që ai do të mësojë se ç'është një eklips", tha Rita, një banore vendase. Eklipsi diellor në formë unaze është një fenomen i natyrshëm. Këtë herë, ky lloj eklipsi ka koinçiduar me Vitin e Ri kinez, që është ditë pushimi zyrtare në Indonezi.