Banorët e Selitës së Vogël kërkojnë heqjen e plehrave
Sasia e madhe e plehrave të hedhura në Selitën e Vogël në Tiranë, po e kufizojnë çdo ditë e më tepër hapësirën e gjelbër në këtë zonë duke krijuar gjithnjë e më tepër një impakt mbytës. Kjo është e vërteta e hidhur e nje lagjeje ne metropolin shqiptar, një vend që fare mirë çdokush ndoshta do të mund ta krahasonte me vendet e harruara . Ky është realiteti që banorët e kësaj zone hasin çdo ditë e më shumë, pa u bërë ende i mundur ndonjë përmirësim sado i vogël i situatës së plehrave. Edhe pse temperaturat në këto ditë të ftohta dimri, janë te ulëta, era e keqe e plehrave , ndihet çdo here e me shumë. Në këtë vend është e pamundur të kalosh pranë këtyre mbetjeve të hedhura nga vetë banorët, pasi duhet të mbyllësh hundët nga kundërmimi i padurueshëm.Kështu, banorëve të kesaj lagjeje përveç rrugëve te parregulluara e me gropa, dhe dendësisë së pluhurit që përditë e më shumë rëndon mushkritë e tyre, u shtohet dhe problemi tjetër që është ai i mbetjeve të konsumit të përditshëm.Bashkia që është organi i vetëm kompetent për zgjidhjen apo trajtimin e këtij problemi, që është mjaft shqetësues për keta qytetare, mesa duket nuk ka marrë asnjë masë për këtë gjë.Kjo është një ndër lagjet më problemtaike të kryeqytetit për këtë problem, ndaj dhe kamera e televizionit Ora News, e përzgjodhi atë për ta bërë publik e për ta trajtuar në aspektin mediatik. Duke marrë shkas edhe nga shqetësimet e banorëve, mësohet se qytetarëve u duhet të durojnë për kush e di sa kohë, erën kundërmuese që vjen si pasojë e plehrave të hedhura vend e pa vend e që sipas ekspertëve mund të krijojnë shumë lehtë edhe përhapjen e ndonjë epidemie. Por ajo se çfare është më e çuditshme në këtë zonë, eshte fakti se kazanet e plehrave jane bosh dhe përbri tyre gjenden pirgje plehrash. Qytetarët thonë se plehrat janë hedhur përdhe për shkak se nuk kanë patur vend ku t'i hedhin në kontenier në kohën kur ato kanë qenë të mbushur me plehra. Këta banore shprehen se një pastrim më i shpeshtë i rrugëve dhe kazanëvë të plehrave të mbushur, do të ishte zgjidhja më e efektshme që të gjithë njerëzit kërkojnë nga Bashkia e Tiranës.