Indonezianët përgatiten të presin Presidentin Barak Obama
Vizita e presidentit amerikan Barack Obama në Indonezi dhe Australi është shtyrë për disa ditë dhe do të zhvillohet javën e ardhshme. Por ajo vazhdon të gjenerojë emocione, veçanërisht në Indonezi, ku nuk kanë munguar edhe protestat. Megjithatë shumica e indonezianëve e shohin presidentin amerikan si birin e tyre, duke qenë se nëna e tij ishte martuar me një indonezian, por edhe për faktin se ai ka jetuar në Xhakartë në vitet e fëmijërisë. Zyrtarët indonezianë dhe përkrahësit e tyre shpresojnë se vizita shtetërore e Obamës në Indonezi do të bëjë që popullariteti i tij personal në atë vend të rezultojë në marrëdhënie diplomatike më të mira mes të dy vendeve. Një ndër analistët e çështjeve ndërkombëtare, Wimar Witoelar thotë se Presidenti amerikan është mjaft popullor në Indonezi, pasi shumica e njerëzve mendojnë se ai kupton kulturën dhe vlerat indoneziane. Me rizgjedhjen paqësore qershorin e kaluar të Presidentit indonezian Susilo Bombang Yudhoyono, Indonezia shihet si një vend i Asisë Jugore që po fuqizohet, me një demokraci pluraliste dhe një ekonomi të qëndrueshme. Ndërsa ka bërë përpjekje të mëdha për pakësimin e rrezikut nga ekstremistët islamikë, vendi përjetoi vitin e kaluar një sulm terrorist që shkaktoi edhe vitkima. Më herët por edhe së fundmi, disa grupe islamike indoneziane po planifikojnë të protestojnë kundër vizitës së Obamës, duke thënë se politikat e tij ndaj botës myslimane nuk ndryshojnë nga ato të paraardhësve të tij. Obama pritet të diskutojë me homologun e tij, për një sërë çështjesh, si psh mundësia që Amerika t'i japë ndihma në para Indonezisë për të ndalur djegien e pyjeve, e që sipas ekspertëve ndikon te ngrohja globale. Forcat special indoneziane po marin masa për t'iu përgjigjur çdo kërcënimi për sulm terrorist gjatë vizitës së shefit të Shtëpisë së Bardhë. Megjithë shqetësimet lidhur me qëndrimin në të kaluarën të ushtrisë indoneziane ndaj të drejtave të njeriut, Shtetet e Bashkuara mund të rifillojë stërvitjen ushtarake të forcave speciale indoneziane.