Izraeli tenton të zgjidhë krizën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Kryeministri izraelit, Benjamin Natanjahu, ka lëvduar dje Presidentin amerikan Obama, dhe ka bërë një bisedë telefonike me zëvendësin e tij, Biden, në tentativë për të qetësuar një krizë në marrëdhëniet mes të dyja vendeve. Në fakt, bëhet fjalë për krizën më të rëndë këto 35 vitet e fundit, e shkaktuar për shkak të vendimit të hebrenjve për të ndërtuar shtëpi të tjera në Jerusalemin Lindor. Ky njoftim u bë ditën që zëvendëspresidenti amerikan, Biden, kreu një vizitë në Jerusalem për të rinovuar bisedimet e paqes mes hebrenjve dhe palestinezëve. Ndërkaq po dje, Presidenti palestinez, Abaz, ka hedhur dyshime të tjera në lidhje me rifillimin bisedimeve të drejtpërdrejta me izraelitët, të paktën brenda një kohe të shkurtër. Ai ka ripërsëritur kërkesën që para fillimit të bisedimeve duhet që të ndalohen të gjitha ndërtimet në Jerusalemin Lindor.
Për sa i përket Natanjahut, ai e distancoi dje veten nga deklaratat personale të kunatit të tij, një ultranacionalist, të bëra në një radio. Ai e quajti Obaman antisemit. Ndërkaq Natanjahu ka nxituar që ta sigurojë Obamën se ai ka një mendim krejtësisht të ndryshëm. “Unë kam një vlerësim shumë të madh për zotimet e bëra nga Obama për sigurinë e Izraelit, të cilat ai i ka përsëritur disa herë”, deklaroi Natanjahu në një deklaratë në të cilën e shmangte veten nga të gjitha komentet e vëllait të gruas së tij. Për sa i përket ndërtimeve në Jerusalemin Lindor ato bien ndesh me perspektivat e paqes që bazohen në krijimin e shtetit palestinez me kryeqytet një pjesë të Jerusalemit. Kjo pjesë është marrë nga hebrenjtë gjatë konfliktit të vitit 1967. Natanjahu ka folur me telefon edhe me zëvendëspresidentin amerikan, Biden. Po dje, sekretarja amerikane e Shtetit, Klinton e ka cilësuar vendimin e ndërtimeve të reja në Jerusalemin Lindor “fyerje”. Megjithatë, më pas, edhe ajo i ka ulur tonet dhe ka ripërsëritur zotimin e vendit të saj për të ruajtur sigurinë e Izraelit.
#