“Indrit Aliu më vodhi 10 mijë euro”
Një tregtar celularësh është viktima e fundit e Indrit Aliut, mashtruesit të biznesmenëve. Inicialet e tij janë R.H. dhe pohon se drejton një biznes të suksesshëm në kryeqytet, ku tregton aparate celularë. Nisur nga rastet e shumtë të mashtrimit të Aliut të publikuar nga gazeta, biznesmeni i celularëve me anë të një e-maili të dërguar në postën elektronike të “Panorama”, përcjell rastin e vet të të rënit në kurthin e 25-vjeçarit vlonjat, njëlloj si shumë kolegë të tij në fushën e biznesit. “Indritin e kam njohur nga disa miq të mi biznesmenë dhe më është prezantuar si zëvendësministër dhe pastaj si kreu i një drejtorie te Ministria e Transporteve. Më pas, për disa kohë, nuk kam pasur kontakte me të pasi ishte shumë i zënë, derisa një ditë erdhi dhe më kërkoi 50 copë celularë ‘Nokia’ të tipit të fundit, pasi do i fuste në një tender. Ai i kërkoi nga më të shtrenjtët, me pretendimin se do ia shpërndante administratës që do merrej me dokumentacionin e tenderit”, pohon biznesmeni në mesazhin dërguar gazetës. Më tej, R.H. pohon se në lidhje me këtë kërkesë të Aliut ka shkuar te zyra e këtij të fundit, e cila ishte shumë luksoze, ku kanë nënshkruar kontratën për t’i shitur atij 50 celularë tip “E51” me vlerë 10 mijë euro. “Indrit Aliu më premtoi likuidimin e kësaj shume brenda 2 javësh, me pretekstin se duhej të pritnin sa të akordoheshin fondet. Por kjo gjendje vazhdoi për dy muaj me radhë. Tashmë, unë, kam shkuar shumë herë tek zyrat e tij dhe nuk kam gjetur asnjë njeri aty. Ndërkohë punonjësit e tij që kam takuar aty më kanë thënë se ai nuk ka paguar asnjë prej tyre muajt e fundit, madje as qiranë e zyrave. Ju lutem jam vërtet në hall, pasi nuk di se kujt t’i drejtohem. Shpresoj shumë që të arrestohet e të vihet drejtësia në vend”, përfundon mesazhin për “Panorama” biznesmeni R.H., i mashtruar prej Aliut. Faktin e mashtrimit të biznesmenit të celularëve e pohoi dy ditë më parë një tjetër viktimë e 25-vjeçarit vlonjat. Ai pohoi se Aliu i detyrohej një shumë prej 73 mijë euro për pajisjet elektronike me të cilat i kishte pajisur zyrat. Po kështu tre biznesmenë e kanë denoncuar në prokurori, ndërsa një tjetër në gjykatë. Veç shumave të majme që ka përfituar nga këta persona, Aliu mjaft prej biznesmenëve i ka futur në kurth, duke i detyruar të investojnë nëpër rrugë të ndryshme në komuna të rretheve të largët, atje ku është e pamundur të kryhen verifikime në kohë të shkurtër. Veç të tjerash viktimë e mashtrimeve të Aliut kanë qenë një avokat i njohur kryeqytetas dhe një biznesmen grek, të cilët, pasi i kanë dhënë mbi 200 mijë euro mashtruesit kanë investuar rreth 1.4 milionë euro në një rrugë në Tepelenë. fa.ma.