E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria sekuestro pronave të 18 organizatave kriminale

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konfiskuar pronat dhe pasuritë e Alfred Shkurtit, i njohur me emrin Aldo Bare dhe i akuzuar si drejtues i “Bandës së Lushnjës”. Procesi i hetimit pasuror që filloi me sekuestrimin paraprak është mbyllur në vitin 2008 me konfiskimin e pasurive të kreut të “Bandës së Lushnjës”. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave, Krimet e Rënda krahas hetimit për veprat penale të kryera nga banda dhe anëtarët e saj, zbuluan edhe pronat që dyshohet se janë vendosur nga veprimtaria e paligjshme dhe më pas kërkuan në gjykatë konfiskimin e tyre. Sipas vendimeve përkatëse të gjykatës, prona kryesore e Aldo Bares, e konfiskuar tashmë, përbëhet nga ish-ndërmarrja e Peshkimit në Lagunën e Karavastasë si dhe objektet përreth saj bashkë me pajisjet. Nga të dhënat e Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton se gjatë vitit 2008, krimet e Rënda kanë kryer në kuadër të hetimeve pasurore pesë sekuestro paraprake për prona të personave të arrestuar, dy sekuestro me vendime gjyqësore dhe 11 raste të konfiskimit të pasurive që dyshohet se janë vendosur nga krimi. Nga 11 rastet e konfiskimit të pronave, tre prej tyre nuk kanë marrë formë të prerë pasi ndodhen ende në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Çështjet kanë shkuar në këtë gjykatë në tre raste me rekurs të Prokurorisë dhe në një rast me ankim nga i pandehuri.
Hetimet e pronave të krimit
Prokuroria e Krimeve të Rënda krijoi traditën e hetimit të pasurive të personave të arrestuar që nga viti 2004, kur ligji i konsideruar si “Paketa Antimafia” parashikoi se të akuzuarve për vepra penale të rënda, që sjellin përfitime financiare, mund të bllokohen pasuritë. Në zbatim të këtij ligji, Prokuroria e Krimeve të Rënda prej katër viteve ka vazhduar me praktikën e hetimit të pasurisë për personat e arrestuar prej saj, duke zbuluar në disa raste “thesare” deri në miliona euro të zotëruara nga të arrestuarit. Prokuroria e Krimeve të Rënda, krijoi zyrë të veçantë për hetimet pasurore, ndërsa drejtues i saj është prokurori Adnand Xholi. Në evidencën e hetimeve pasurore të prokurorisë për vitin 2008, sipas burimeve zyrtare, personat kryesorë, të cilëve iu sekuestrua apo iu konfiskua pasuria kanë qenë më së shumti të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike. Në një masë më të vogël kanë qenë të akuzuarit për “trafik dhe shfrytëzim prostitucioni”, ndërsa rastet më të pakta janë ato të personave të akuzuar për “trafikim armësh dhe municioni”.
Personazhet
Lista e pronave të dyshuara, të cilat janë sekuestruar apo konfiskuar gjatë vitit 2008, përmban personazhe të njohur për akuzat e bujshme të ngritura ndaj tyre. Pas kreut të “bandës së Lushnjës” Aldo Bare, lista vijon më pas me Nikolin Cakon, ish-kreun e agjencisë turistike “Go West” që u vu në qendër të hetimeve për trafik klandestinësh dhe falsifikim të dokumenteve të 29 vendeve të botës. Evidenca vazhdon më tej me persona të arrestuar për trafik droge në Shqipëri dhe Itali, si dhe me tre persona të akuzuar për trafik dhe shfrytëzim prostitucioni.        

Rreziku nga vendimi i Gjykatës së Lartë
TIRANE – Një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë duket se ka ndërlikuar punën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i vetmi institucion që aplikoi me sukses hetimet për pasuritë e të arrestuarve për vepra të rënda penale. Vendimi në fjalë është shpallur në janar 2007 dhe bën fjalë për rastin e Xhevdet Troplinit, personit nga Durrësi, të cilit Krimet e Rënda i bllokuan disa prona dhe pasuri pas akuzave të bëra ndaj tij në Itali për trafik narkotikësh. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, hetimi pasuror nuk mund të shtrijë efektet para kohës së kapjes së personit dhe fillimit të procedimit penal. Ky hetim, sipas vendimit në fjalë, duhet të bëhet për të zbuluar pronat e vendosura me rastin konkret të drogës së trafikuar apo precedentin e shfrytëzimit të prostitucionit. Një vendim i tillë ka nxjerrë vështirësi, pasi është e qartë se personat e arrestuar nuk mund të vendosin pasuri pas kapjes së tyre apo shpalljes në kërkim dhe për më tepër nuk mund të kenë përfitime financiare në rastet kur lënda narkotike bllokohet nga policia.              t.s

Hetimet pasurore 2008

Vendime për sekuestro paraprake
1. Andrea Ajasllari, i proceduar për veprat penale të “Trafikimit të femrave për prostitucion”
- Një apartament me sipërfaqe 57.4 m2 dhe sipërfaqe shërbimi të jashtëm 7.6 m 2
Automjet tip “Land Rover” me ngjyrë të bardhë, pa dokumente, me targa SI HH 2118 A
-Nje apartament banimi 3+1 + ambientet ndihmëse, sip. 97.73 + 7.8 = 105.5 m 2, në Rr. “Komuna e Parisit-Selitë”, Tiranë
-Një sasi monetare të sekuestruar të akuzuarit, 37.000 lekë dhe 4.345 USD
- Automjeti tip “Land Cruiser” me targa TR 2226 M,
- Furgon, me targa TR 5407 G, ngjyrë e bardhë, prodhim i vitit 1991
- Automjet tip “Mitsubishi-Pajero”, prodhim i vitit 1987, ngjyrë gri e zezë, targa BR 8261 A
- Mjeti tip traktor me ngjyrë të kuqe, pa dokumente
- Aparat celular i sekuestruar të akuzuarit
2. Nikolin Cako, i akuzuar bashkë me Edmond Bejko, për “Falsifikim të dokumenteve”, “Prodhimit dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Prodhimit të mjeteve për falsifikimin e dokumenteve”, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”
Të akuzuarit dhe familjarëve te tij u janë identifikuar pasuritë;
- Mjeti tip “Nissan” me targa TR 9143 K  në pronësi të së dënuarit Nikolin Cako
- Mjeti me targa TR 8871 F  në pronësi të së dënuarit Valbona Cako,
-Vlerat monetare të sekuestruara në Agjencinë “Go West” Tiranë:
- Shuma 598 200 lekë
- Shuma prej 2700 euro
- Shuma prej 40 USD
- Shuma prej 60 Paund
- Shuma prej 200 Dhrahmi
- Shuma 1970 USD e depozituar prej të dënuarës Valbona Cako
- Shuma prej 1 036 095 lekë të dënuarit Nikolin Cako,
- Apartament në pronësi të së dënuarit Nikolin Cako” 130 m2, Tiranë
- Apartament kati i shtatë, i Nikolin Cakos, Tiranë
- Apartament në pronësi të së dënuarit Nikolin Cako, Tiranë
3. Edmond Bejko
Të pandehurit dhe familjarëve të tij u janë identifikuar pasuritë;
- Apartament banimi në pronësi të së dënuarit Edmond Bejko, 33.4 m2 Tiranë
- Truall me sipërfaqe 115 m2 në pronësi të të dënuarit Edmond Bejko,
- Pronë në bashkëpronësi dhe e të dënuarit Edmond Bejko, ndodhur në regjistrin e pasurive të paluajtshme Tiranë
- Llogari Bankare ne shumën 9 514 lekë në pronësi të të dënuarit Edmond Bejko
4. Eljano Canko
Të akuzuarit dhe familjarëve të tij u janë identifikuar pasuritë;
- Shuma prej 555 569 lekë të depozituara në bankë
- Shuma prej 111. 223 lekë depozituara në bankë 
5. Femi Rabi, i akuzuar për veprën penale  të “Trafikimit të narkotikëve, në bashkëpunim, të mbetur në tentativë”
Të akuzuarit i janë identifikuar pasuritë;
- Automjeti tip “Benz” tipi 163 (ML400 CDI), Lloji autoveturë, me targa TR 8085 K.
Vendime për sekuestrim
1. Altin Sotomeni, i akuzuar për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike”
Të akuzuarit dhe familjarëve të tij u janë identifikuar pasuritë;
- Shuma prej 4500 euro, sekuestruar gjate kontrollit personal.
2. Fation Skenderi, i akuzuar për “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Krijim të organizatës kriminale” dhe “Kryerje të krimeve nga organizata kriminale”,
Të akuzuarit dhe familjareve te tij u janë identifikuar pasuritë;
- Sipërfaqe prej 4187 m2, objekti “Truck-Servis”, e ndodhur ne fshatin Mëzes, Tiranë, ku një sipërfaqe 1613 m2 përbën truall ndërsa sipërfaqja 476 m2 përbën ndërtim.
Vendime për konfiskim
1. Besnik Çoba, i akuzuar për “vjedhje me armë”, në Itali në periudhën 2004-2005, krime të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal
Të akuzuarit dhe familjarëve të tij u janë identifikuar pasuritë;
- Depozitë kursimi me afat 3 mujor, shuma 301, 265.26 lekë
- Shuma 5350 (pesëmijë e treqind e pesëdhjetë) Euro.
2. Aleksandër Bojko, i akuzuar për veprat penale  të “Prodhimit dhe shitjes te narkotikeve”, në bashkëpunim, si dhe të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”
Të akuzuarit dhe familjarëve të tij u janë identifikuar pasuritë;
-Hotel me sipërfaqe ndërtimi 470 metra katror, përfshi truallin dhe pajisjet brenda, në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”
Çështja është në shqyrtim Gjykatën e Lartë, pas rekursit pasi gjykatat tjera nuk kanë pranuar konfiskimin
3. Xhevdet Troplini i akuzuar për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunim
Të akuzuarit dhe familjarëve të tij u janë identifikuar pasuritë;
- Ish-”Ndërmarrja e Rritjes dhe e Zënies së Peshkut” - Durrës, me sipërfaqe prej 9900 metra katror, nga të cilat 1850 metra katror sipërfaqja e objekteve dhe trualli nën këto objekte, si dhe 8050 m 2 truall i lirë
Kjo çështje po gjykohet në Gjykatën e Lartë pas rekursit të Prokurorisë
4. Besnik Brraka,  i akuzuar për veprën penale “trafik të lëndëve narkotike” dhe “trafikimit të armëve dhe municioneve”
Të akuzuarit i janë identifikuar pasuritë;
-Koke tërheqëse marka MAN, prodhim i vitit 1996 me targë “TR 5529 J”, ngjyrë gri
- Trailer Semi-Rimorkio, marka “Schwarizmuller”, prodhim i 1984, ngjyrë e kuqe në gri, me targa “TR-6123 J”
- Autoveture “JEEP”, marka “CHEROKEE”, me targë “EL 2619 A”, prodhim i vitit 1988
- Autoveture “Nissan Patrol”, me targe “EL 4047 A”, prodhim i vitit 1994, ngjyrë gri
- Rimorkio, Tipi Barteli 4 B1/75 N, me targe “EL 6473 A”, prodhim i vitit 1980, ngjyrë gri
5. Baftjar Gjana, i akuzuar për veprat penale të “shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “falsifikim të akteve të gjendjes civile”
Të pandehurit dhe familjareve u janë identifikuar pasuritë;
-Autoveture “Peugeot 206”, viti i prodhimit 2003, me targa TR 3466 J në pronësi të së dënuarit Baftjar Gjana.
- 1000 (njëmijë) euro
Kjo çështje po gjykohet në Gjykatën e Lartë pas rekursit të Prokurorisë
6. Aldo Bare (Alfred Shkurti) i akuzuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 78, 278/2, 151, 78-22, 118 dhe 333 e 334 të K.Penal
Të akuzuarit dhe familjarëve të tij u janë gjetur pasuritë;
- Shoqëria “Laguna Karavasta” sh.p.k, me sipërfaqe toke prej 11 792 m2, Divjakë-Lushnje, bashkë me 1216 m2 ndërtesa dhe pajisje së bashku me barkat e peshkimit, rrjetat, dajlanët. Konkretisht sip.540 m.2 truall; sip.4900 m.2 truall + ndërtesë 400 m2; sip.540 m2 truall + ndërtesë 36 m2; sip.1456 m.2 truall+ ndërtesë 166 m2 dhe 36 m2; sip.2900 m.2 truall+ndërtesë sip.375 dhe 105 m 2; sip.1456m.2 truall+ndërtesë me sip.42, 28 dhe 74 m2;
- Sipërfaqja 470 m2, në lagjen “Çlirimi”-Lushnjë. Përfshihen sipërfaqja 24 m2 garazh si dhe sipërfaqja 48 m2 magazinë bashkë me pajisjet brenda tyre
7. Avni Avduli, i akuzuar për veprën penale të “Trafikimit të femrave për prostitucion”
Të akuzuarit dhe familjareve të tij u janë gjetur pasuritë;
- Autoveturë “Wolksvagen” Golf-3 ngjyrë e zezë, viti i prodhimit 1992 me targa EL 3522 B
- Autoveture “Benz”, 220 CDI-Clasic, gri metalizzato, viti i prodhimit 2001, targa të huaja BK 164 YM
Sasi parash prej 6.000.000 lekë në bankë
8. Jani Tafa, i akuzuar për veprat penale  të “Trafikimit të femrave për prostitucion”
Të akuzuarit i janë identifikuar pasuritë;
- Autovetura tip “Benz-Mercedez” të tipit 320, me targa CM 641 SE, ngjyre gri metalizzato. 
9. Altin Sotomeni, i akuzuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve
Të akuzuarit i janë identifikuar pasuritë;
Shuma prej 4500 euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›